Studeniçani vuan për ujë më shumë se 10 vjet (VIDEO)

Tashmë një kohë të gjatë, gati 10 vjeçare, banorët e Studeniçanit, fshat ky i cili numëron rreth 1500 shtëpi, përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Konkretisht pjesa e epërme e fshatit, ku nga rrjeti i ujësjellësit furnizohen me ujë vetëm dy orë në ditë. Edhe gjatë javës së fundit, për shkak të rrjetit të vjetëruar të ujësjellësit i cili është instaluar që në vitin 1973, gypat e azbestit nuk mund ta durojnë presionin e ujit, I cili vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë edhe në shtëpitë e pjesës së epërme të fshatit.

Banorët e adresojnë fajin te Komuna, e cila sipas tyre jo vetëm që nuk e ka zgjidhur këtë problem disavjeçar, por nuk dërgon as edhe cisterna me ujë për ta zbutur problemin e tyre per ujë të pijshëm.

“Ky problem i ujit nuk është problem I tanishëm, është problem edhe i mandateve të kaluara, por që atëherë e deri në ditët e sodit nuk është zgjidh ky problem. Kjo mëhalla jonë qëështë 50-60 shtëpi vazhdimisht kemi pas problem. Gjatë verës kemi problem, dhe arsyetohen se ujisin, dmth harxhohet nëpër ara, mirëpo tani nuk mban ajo, për arsye se tash ka ndonjë problem tjetër. Këtu nuk ka faj vetëm institucioni komunë por edhe Ndërmarrja e Ujësjellësit e cila nuk angazhohet për zgjidhjen e problemit”, tha njëri nga banorët.

Në oborret e shtëpive të pjesës së epërme të fshatit, shihen grumbuj me shishe, të cilat banorët i mbushin me ujë në çezmat publike, sa për të kaluar një ditë.

“Ne ujë skemi pas or bir. Zgjoheshim më heret e mbushnim ujë, pastaj ndaleshte, vinte shkonte. Ja djali shkon me veturë merr ujë. Turp është kështu”, tha një banore e Studeniçanit.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, deklaroi se të gjitha investimet që I takojnë Komunës për problemin e ujësjellësit, janë realizuar, ndërsa është Ndërmarrjen Publike Ujësjellësi dhe Kanalizmi ajo që nuk i përgjigjet kërkesës së Komunës, për kyçjen e amvisërive në rrjetin e ri.

“Tani problemi ka ngelë që NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi t’I bën kyçjet e amvisërive në rrjetin e ri ku është i ndërtuar. Arsyetimi I tyre gjithmonë është se pagesa është shumë e vogël që paguajnë qytetarët, mirëpo ajo nuk është arsye”, tha kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki

Sipas tij, problem zgjidhet vetëm nëse kjo ndërmarrje bën kyçjen e amvisërive në rrjetin e ri të ujësjellësit, i cili ka filluar të ndërtohet që nga viti 2005. Kujtojmë se vetëm gjatë javës së kaluar, për shkak të shpërthimit të gypave të vjetër të ujësjellësit, banorët e Studeniçanit kanë mbetur pa ujë edhe nga tre ditë./Shenja



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu