Taravari: Mjekë të respektuar, vota juaj do të shërojë sëmundjen!

Arben Taravari

Mjekë të respektuar, këto kohë ku pushshteti ka bërë fraktura të rënda në shoqërinë tonë, unë si koleg dhe bashkëqytetar juaji u bëj thirrje të largojmë këtë tumor, metastazat e të cilit rrezikojnë gjithë brezat e nuk do falin as fëmijët. Secili nga është betuar me këto fjali: Në momentin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë apsolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal. Pra kolegët e mi, ato gra dhe ata burra që zbardhin netët nëpër dhoma spitalesh, që reanimojnë fëmijë, nëna, baballarë, motra dhe vëllezër, ata kanë një mision që tejkalon pragjet e interesit! Ndaj është momenti që të mbrojmë me çdo kusht jetën, e cila është vënë në rrezik serioz nga politika shtetshkatërruese. Votoni! Vota juaj do të shërojë sëmundjen!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu