Shpallja e zgjedhjeve më 11 dhjetor dhe vendimi i kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, për shpërbërjen e Kuvendit, janë kontestuese, pasi vetë KSHZ e kishte njoftuar edhe më herët Kuvendin se nuk kemi balancim të njësive zgjedhore. Kështu u shpreh eksperti juridik, Osman Kadriu në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja.
Ai shtoi se nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton iniciativën e Partisë UNITETI për kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve të 11 dhjetorit për shkak të mosbalancimit të njësive zgjedhore, dhe nëse konstaton se veprimet e Kuvendit janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, atëherë mund ta abrogojë vendimin e Kuvendit.
“Në qoftë se Gjykata Kushtetuese e pranon iniciativën si të arsyeshme dhe sjell vendim për abrogimin e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve, atëherë zgjedhjet nuk mund të mbahen”, tha Kadriu.
Ai vazhdon më tej: “Mendoj se deri në zgjedhje do të ketë prononcim Gjykata Kushtetuese. Kanë kaluar të gjitha afatet, prandaj Gjykata Kushtetuese duhet të prononcohet. Tjetër është çështja se si do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përsëris, në qoftë se ndodhë, mos dhashtë Zoti, që Gjykata Kushtetuese ta abrogon ligjin, ta abrogon edhe organin në fjalë, atëherë do të krijohet këtu një kaos i madh juridik, i cili kaos edhe më shumë do ta thellon krizën politike, do të rritet pakënaqësia e qytetarëve e cila mendoj se do të shndërrohet në manifestime dhe forma shumë të ndryshme, bile bile edhe brengosëse për stabilitetin e vendit”, deklaroi Kadriu.
Nga ana tjetër, gazetari Aco Kabranov nuk beson që Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë këtë iniciativë dhe shtoi se kjo gjykatë nëse jo diçka tjetër, do të prononcohet si jo kompetente.
“Ashtu siç do t’u thonë Gruevski dhe Ahmeti, gjegjësisht siç do t’u thotë Gruevski, ashtu do të veprojnë. Pra ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, të vërtetë, kemi të dirigjuar. është e vrtetë se të gjithë e dinë këtë problem me njësinë e gjashtë zgjedhore, e dinte edhe partia shqiptare BDI. Fillimisht Thaçi përmes një deklarate foli mbi këtë problematikë por nuk e aktualizoi, BDI diç aktron si e çmendur, dhe përnjëherë u paraqit UNITETI, gjegjësisht Gëzim Ostreni, deputeti i tij e aktualizon këtë. Dhe tash këtu mua më duket e çuditshme. Më duket se UNITETI luan si xhoker i BDI-së që të prishen zgjedhjet, të jem i sinqertë”, deklaroi Kabranov.
Sipas Kabranov, BDI është vazal i VMRO-DPMNE-së, dhe nëse vlerëson Gruevski se nuk i duhen zgjedhje më 11 dhjetor, atëherë partia e Ahmetit do të luaj në atë kartë.
Për gazetarin Naim Sinani, nëse edhe kësaj here anulohet data e zgjedhjeve, duke pas parasysh faktin se tashmë dy herë janë anuluar datat e caktuara paraprakisht, atëherë vendi do të del shumë joserioz edhe para qytetarëve edhe para ndërkombëtarëve.
“Nëse eventualisht vjen deri te anulimi i zgjedhjeve, atëherë kjo bëhet përsëri vetëm nëse janë dakord katër partitë politike. Ata në fakt pranuan shpërbërjen e Kuvendit pa u zgjidhur kjo çështje, të vetëdijshëm se KSHZ kishte alarmuar se në njësinë e gjashtë zgjedhore kemi tejkalim të normës juridike”, u shpreh Sinani në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja.
Ai e përsëriti disa herë se nëse edhe këto zgjedhje anulohen, shteti do të duket joserioz para qytetarëve dhe para faktorit ndërkombëtar, dhe sipas tij, do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë të sjellë një vendim për kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve./shenja