Ballina Aktuale Nëse mbahen zgjedhjet e 11 dhjetorit, Maqedonia bie nga testi i demokracisë!

Nëse mbahen zgjedhjet e 11 dhjetorit, Maqedonia bie nga testi i demokracisë!

Është shqetësues fakti që ngelet një vrimë e madhe, me potencial manipulimi për zgjedhjet e ardhshme, për shkak të kontestimit të kushtetutshmërisë së zgjedhjeve. Vlerësojnë kështu njohësit e çështjeve politike për Portalb.

“Në parim, unë mendoj që zgjedhje duhet të ketë, por parashtrohet pyetja se pse partitë politike, posaçërisht ato prezentë në parlament, nuk e kryejnë plotësisht detyrën e tyre. Kontestimi i kushtetutshmërisë së zgjedhjeve le vend të hapur për çdo parti që do të humb zgjedhjet, secila prej tyre do të mund të thirret në këtë pikë. Kjo është shqetësuese sepse një gjë e tillë do ta thellonte krizën politike. Kontestimi i zgjedhjeve ne Maqedoni nuk ka histori te mire, dhe dyshoj se kjo do te përmirësohej. Se fundmi, kjo situatë tregon se të gjitha partitë janë më të interesuara në fitimin e zgjedhjeve sesa ne rikthimin e një stabilitetin në vend”, deklaroi për Portalb Lura Pollozhani, analiste.

Sipas saj, secila parti mendon që fitorja e tyre apo vetë zgjedhjet me legjitimimin ose delegjitimimin e pozitës do të ishin hapi i mjaftueshëm drejt stabilitetit.

“Më e ngjashme është që të gjithë partitë politike duan një letër ekstra për të luajtur nëse i humbin zgjedhjet, për ti kontestuar ato, dhe kështu do të fillonte një rreth i ri i krizës. Një gjë është e sigurt, nëse kjo gjë nuk qartësohet përpara zgjedhjeve, humbësit më të mëdhenj do të jenë votuesit”, përfundoi Pollozhani.

Për aktivistin dhe njohësin e çështjeve politike, Petrit Saraçini, shkuarja në zgjedhje duke e ditur se thyhet ligji dhe parimi kushtetues i barazisë së votës dhe qytetarëve, siç është rasti me numrin e votuesve në njësinë zgjedhore 6, fletë vet për nivelin e vetëdijes demokratike dhe politikbërjes në Maqedoni.

“Në këtë vend, ku interpretohen ligjet dhe Kushtetuta sipas nevojave oportune të partive politike, do të nevojitet një kohë e gjatë për të ardhur në binarët e demokracisë së vërtetë. Kjo çështje është në dukje teknike, mirëpo ka nëntekst pabarazinë etnike e cila mund të krijojë probleme shumë më të mëdha në të ardhmen. Jashtë asaj që flet për mosgatishmërinë e elitave politike për të respektuar me përkushtim dhe përpikmëri rregullat e demokracisë, duke filluar prej bazës – respektimit të ligjeve dhe sundimit të së drejtës, siç është rasti me anashkalimin e pabarazinë së votave të votuesve nga njësia zgjedhore nr 6”, tha për Portalb Saraçini.

Më 31 gusht, 4 partitë më të mëdha; BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO-DPMNE u dakorduan për zgjedhje më 11 dhjetor. Në Marrëveshjen e nënshkruar nuk qëndronte nevoja për balancimin e njësive zgjedhore.

Deri në shpërbërjen e Parlamentit partitë politike dështuan në tentativën për t’i balancuar Njësitë zgjedhore. Edhe duke e pasur parasysh shkeljen e Kodit zgjedhor, mosbalancimin e njësive zgjedhore, partitë në terren kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Paralelisht me organizimin e zgjedhjeve partia jashtëparlamentare Uniteti ka ngre iniciativë, me ç’rast e konteston mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve nga ana e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu