Ndër qindra kërkesat për ndihmë në numrin 118 pas tërmetit të dytë, njëra ishte edhe ajo e një çifti, prindër të një vogëlusheje që lindi pas tërmetit në kushte tërësisht të veçanta. Një mrekulli e jetës, pas frikës dhe dëshpërimit që kishte kapluar banorët e zonave të prekura nga tërmetet.
Një histori emocionuese që ndodhi në Perugia, ku një grua solli në jetë fëmijën e saj brenda një makine, vetëm disa orë pas tërmetit të dytë që goditi Italinë Qendrore. E vogla, që u cilësua “fëmija e shpresës”, u quajt Tajl dhe tani ndodhet në spitalin e qytetit Castello, bashkë me nënën e saj.
Babai i vogëlushes ka treguar se ai ndodhej në makinë me bashkëshorten në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe ishin duke shkuar në spital, por për shkak të tërmetit ndaluan menjëherë në rrugë ku pritën ardhjen e ambulancës.
Mjekët bëjnë me dije se vogëlushja Tajl peshon 2 kg e 800 gramë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. /Blitz