Mbrëmjen e së martës, emisioni investigativ “Le Iene” në Itali i ka dedikuar një reportazh çështjes së rekrutimit të luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke u fokusuar këtë herë në Kosovë, aty ku kamerat thuhet se kanë qenë në kampin e supozuar të rekrutimit të militantëve. Reportazhi është publikuar nën titullin “Në kampin e rekrutimit të ISIS”.
Gjithçka nis me lotët e një personi, të cilit gazetari i thotë t’i japë një mesazh të birit, pasi ai me siguri përdor internetin dhe mund ta shohë këtë emision.
Rrëfimi shqetësues është bërë nga babai i një luftëtari me emrin Atdhe, i cili e ka njohur të birin gjatë një kronike të një mediaje lokale, dedikuar rekrutimeve të grupit xhihadist të të ashtuquajturit Shtet Islamik. Në reportazh jepen edhe pamje nga i biri i rekrutuar, ndërsa gazetari italian në Kosovë sjell edhe dëshmi të djemve të tjerë, të rekrutuar pikërisht nga e supozuara “shtëpi pushimi”.
Vet gazetari Pelazza, por edhe babai rrëfyes kanë shkuar të shohin me sytë e tyre vendin ku grumbulloheshin djemtë, të cilët më pas rekrutoheshin për të luftuar për ISIS në Siri apo Irak.
“Gjendemi në fshatin Debëllde, ku disa të rinj kanë ardhur për të qëndruar për rreth një javë dhe një numër i konsiderueshëm i tyre kanë shkuar më pas në luftë, në Siri dhe Irak”, shprehet babai.
I biri është sot 26 vjeç dhe, nëse është vërtet gjallë, sipas gjasave ndodhet në Siri.
“Në familjen time nuk është praktikuar kurrë feja dhe nuk i është dhënë rëndësi e madhe asaj. Ndërsa im bir është praktikant i rregullt mysliman. Ai frekuentonte xhami që nuk kanë qenë nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishin xhami me të radikalizuar, sidomos ajo e Termokosit në Prishtinë”, shton më tej babai.
I pyetur nëse ai beson vërtet se i biri është bindur që të nisej për në Siri teksa frekuentonte këto xhami, ai shprehet: Mendoj se këta janë fajtorë, madje edhe në deklaratat e mëparshme të miat kam nxjerrë me emër dhe mbiemër fajtorët kryesorë të mundshëm.
Mes të cilëve edhe emri i imamit Zakaria Qazimi, që në një video të publikuar predikimi thotë ndër të tjera se “gjaku i jobesimtarëve është pija më e mirë për ne”. E teksa grumbullonte besimtarë për t’u indoktrinuar radikalizmin, ai shprehej shpesh se “ai që nuk i bashkohej xhihadit vdes si tradhtar”.
“Me gjasë, edhe shumica e këtyre të rinjve vinin këtu pa lejen dhe pa dijeninë e prindërve. Me të mbërritur këtu, imami u ka marrë telefonat celularë, duke iua sekuestruar”, rrëfen më tej babai.
I biri i tij është shfaqur në një dokumentar kosovar, mbante syze si i ati dhe së bashku me të rekrutuar të tjerë shihen teksa dëgjojnë imamin Zakaria, një mysliman radikal dhe rekrutues xhihadistësh, që sot gjendet pas hekurave të burgut, i dënuar me 10 vite heqje lirie.
“Sa herë që bie të fle natën, mendoj gjithnjë për tim bir. Ku është dhe çfarë bën? Angazhimi im është maksimal për ta bindur atë të kthehet. Do të kisha qenë shumë më i kënaqur sikur ai të kthehej dhe shteti le të merrej me të, drejtësia të veprojë, mjafton që të jetë gjallë. Edhe nëqoftëse kthehen ata, Kuvendi i kosovës ka miratuar një ligj, me të cilin të gjithë pjesëmarrësit në luftërat e jashtme do të dënohen me heqje lirie deri në 15 vite. Kjo më duket si një gabim i madh, sepse nuk po dënohen frymëzuesit e tyre, por vetëm për ata që kanë rënë prè e fajtorëve kryesorë”, thotë ai.
Gazetari i “Le Iene” i jep një shembull. Një prej djemve kosovarë të nisur nga i njëjti vend kishte shkuar në Siri, kishte hedhur veten në erë duke vrarë të paktën 50 persona. A nuk i druhej babai faktit se edhe i biri mund të bënte të njëjtën gjë po të kthehej?
“Sigurisht që mundet, sepse ata janë radikalizuar totalisht dhe janë të bindur për gjithçka bëjnë”.
Gazetari Pelazza ka intervistuar edhe një tjetër rekrut të mundshëm, të penduar përpara se të shkonte në luftë.
“Imami Zakaria na ftoi thjesht për piknik. Kur shkuam në kamping nisëm të ndiqnim leksionet fetare, predikimet e tij, por edhe trajnoheshim”, thotë i penduari. Ndërkohë që në një deklaratë të mëhershme për mediat kosovare, ai rrëfente qartësisht se çfarë u predikonte imami.
“Ai na thoshte se nëse prindërit tanë e kundërshtonin fenë tonë, ne mund t’i mohonim dhe t’u bënim edhe keq madje”. Sa i përket kampit, ai thotë se “atje na bënin stërvitje të çuditshme për ne që ishim të moshës 14-vjeçare dhe nuk i kuptonim. Na jepnin shpata për të mësuar t’i përdornim. Na fliste vetëm për Sirinë dhe sesi duhej të shkonim atje për t’u bashkuar në xhihad. Kam pasur plane njëherë të ikja nga shtëpia ime dhe të shkoja te shtëpia e imamit, e prej andej të nisesha për në luftë në Siri”.
Gazetari dhe babai rrëfimtar kanë takuar edhe pronarin e shtëpisë, i cili kur nis të flasë me babain e të rekrutuarit mohon që prona e tij të jetë përdorur për qëllime të tilla. Madje i kërkon edhe kameramanit të mos i fokusojë atë, duke i folur edhe italisht. E pavarësisht se aty ka shkuar edhe policia, pasi ka pasur dokumentarë që bënin të ditur grumbullimin e shumë djemve në shtëpinë e tij, pronari thotë se këto janë vetëm “fjalë dashakeqëse” dhe se policia atë punë ka, të shkojë të kontrollojë, të largohet e ndoshta edhe të rikthehet sërish. Në njërën prej atyre videove shfaqet edhe i biri i pronarit, e kur gazetari dhe babai rrëfyes i bëjnë të ditur se kush ishin, ai irritohet dhe i fton ata të largohen, pasi nuk ka ç’të flasë më shumë përpara tyre. “Unë jam thjesht viktimë”, e mbyll ai./TCH