Ambasadori i Shqipërisë në Shkup: Shqiptarët e Maqedonisë – prioritet i çështjes shqiptare

Ambasadori i parë i Shqipërisë në Maqedoni, Shaban Murati, për herë të parë ka shtruar tezën se shqiptarët e Maqedonisë mbeten përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan.

Sipas Muratit, pas pavarësimit të Kosovës prioritet i politikave mbarëkombëtare duhet të jetë pikërisht çështja e shqiptarëve të Maqedonisë. Duke analizuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni, ai thotë se zgjidhja e çështjes shqiptare në Maqedoni duhet të kalojë nga faza e koalicioneve politike në fazën e bashkëdrejtuesit real të shtetit.

“Kur Kosova u bë shtet i pavarur, ajo pushon së qeni përbërësi kryesor dhe përbërësi kryesor mbetet në mënyrë automatike, logjike, historike diplomatike dhe kombëtare çështja e shqiptarëve në Maqedoni. Në qoftë se populli shqiptar në Maqedoni do të arrijë statusin e bashkëdrejtuesit real në vendimmarrje, unë mendoj që jemi drejt realizimit të asaj që përbërësi kryesor, tani kryesor i çështjes shqiptare, do të jetë i zgjidhur”,- deklaroi ambasadori i parë i Shqipërisë në RM, Shaban Murati.

Libri i Muratit mund të shërbejë si një manual për të njohur këtë vend, tha ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, ndërsa kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi si një impuls i cili duhet t’u japë kah zhvillimeve në rajon.

“Pas leximit të këtij libri, çdokush mund të arrijë në përfundim se pa një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe rreth saj nuk mund të ketë një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme të problemeve as në Maqedoni, as në Serbi, as në Mal të Zi dhe më gjerë”,- tha ambasadori i Shqipërisë Në RM, Fatos Reka.

“Padyshim, është ky një impuls i ri, i cili duhet të diktojë zhvillimet politike dhe diplomatike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi etj”,- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Këto problematika që ngrihen duhet të jenë synim i çdo shqiptari, ndërsa si të tilla do të ju shërbejnë studiuesve të ndryshëm për zgjerimin e njohurive për një problematikë specifike shikuar nga dimensioni i veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, nënvizuan drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, dhe drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Ylber Sela, nën organizimin e të cilëve u promovua libri i diplomatit, Shaban Murati, “Shqiptarët e Maqedonisë – prioritet i çështjes shqiptare”. (Naim Ramadani, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu