Lufta për pushtet vazhdon, morali politik “i panjohur” për VMRO-BDI

Sa është e moralshme që liderët e partive në pushtet të Maqedonisë të jenë bartës të listave zgjedhore në zgjedhjet e 11 dhjetorit përderisa dyshohet se të njëjtët kanë shkelur normat ligjore në të kaluarën? A duhet votuesit tu besojnë premtimeve të tyre edhe këtë herë, nga vetë fakti që janë si të dyshuar pa marrë parasysh që ende s’ka epilog gjyqësor që në Maqedoni zgjasin edhe me vite, shkruan Portalb.mk.

Në Maqedoni mos kërkoni moral politik, garnitura aktuale i ka dhënë goditjen finale, gjë që u pa me zbardhjen e skandalit të përgjimit nga ku u krijua Prokuroria Speciale që i heton strukturat më të larta partiake. Kështu për Portalb.mk komentojnë njohësit e çështjeve politike pasi që ditë më parë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski konfirmoi se ai do të jetë bartës i listës në zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni. Nga ana tjetër edhe pse jo-zyrtare, pritet të që edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti të jetë bartës liste në njësinë numër gjashtë.
Të thirrur në prezumimin e pafajësisë dhe deri sa nuk ka verdikt gjyqësor, partitë në pushtet shfajësojnë liderët nga përgjegjësia morale.

Lideri i VMRO-DPMNE-së është i dyshuari i Prokurorisë Speciale Publike në disa lëndë që i heton; ndërsa lideri i BDI-së, përpos që përmendet në bisedat e përgjuara nga të cilat sipas PSP-së, vetëm 12% janë zbardhur ai ëhtë një nga të dyshuarit kyesro në mega-skandalin e Magjar Telekomit.
Për kandidimin e personave në fjalë nuk ka ndonjë pengesë ligjore. Sepse sipas Kodit zgjedhor, kandidat për deputet nuk mund të jetë vetëm personi i cili është i dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor me burg mbi 6 muaj… (Neni 7, paragrafi 3).

Por pavarësisht se është ligjore, sipas njohësve të çështjes një gjë e tillë në këtë rast nuk është e moralshme.

“Më vjen mirë që e parashtroni këtë pyetje, sepse shoh që disa media në gjuhën maqedonase sillen sikur asgjë të mos ketë ndodhur dhe flasin rreth asaj se kush kundër kujt do të garojë dhe kush me kë zhvillon dialog parazgjedhor. Por sipas meje, nuk është morale e as etike që në listat e kandidatëve të jenë personat, ndaj të cilëve PSP-ja ka ngritur ndonjë procedurë.” u shpreh për Portalb.mk profesoresha universitare, Mirjana Malevska.

“Pas gjitha dështimeve që kanë ndodhur në kampusin shqiptar këto 15 vite, ku për fat të keq ishin të përfshira që të dy partitë me prefiks shqiptare, dikush sikur akoma nuk do ta kuptojë se vlera reale e tij është baras me një kartele të zbrazët bankare. Pas një eksodusi të rinisë shqiptare që s’ka ndodhur madje as në kohën e Mbretërisë SKS, të konsiderosh se akoma duhet t’i përfaqësosh shqiptarët, kjo më nuk është problem moral, as elektoral, madje as jo aq edhe i interesave të ngushta grupore, por problem serioz medicinal”u shpreh për Portalb.mk profesori profesori universitar, Mersel Bilalli, duke aluduar në liderin e BDI-së.

“Të ndihmosh krimin e organizuar të përmasave astronomike të Gruevskit, duke mbledhur ndonjë troshkë është barrë shumë shumë e rëndë njerëzore dhe kombëtare. Të ndihmosh opsionin rus në dëm të miqve amerikan, po ashtu është barrë sa një gur mulliri në shpinë. Pra, Problemi i Gruevskit është i njohur. Ai edhe kur i gjithë shteti vidhet, vet mbetet i ‘pastër’.” shtoi Bilalli.

Gjithsesi sipas tij, edhe në këtë “havari” të BDI-së, mungojnë oferta zhvillimore seriozisht të përpunuara nga partitë e reja, që do t’i mobilizonin votuesit.

Njohësit e çështjeve thanë ndër tjerash se kandidimi i mundshëm i liderëve të partive në pushtet dhe zgjedhja e mundshme e tyre nuk do t’i kontribuonte nxjerrjes së vendit nga kriza; por nxjerrjes së vetë liderëve nga situata e pa lakmueshme në të cilën ndodhen (situatë që e shkakton puna e PSP-së e bazuar në përgjimet e publikuara në vitin 2015).

Sipas Malevskës këta persona mund të kandidohen madje edhe të zgjedhen, por kështu nuk do të zgjidhet kriza politike.

“Nuk mundet që njerëzit që e kanë shkaktuar krizën të jenë ato që do ta zgjidhin këtë krizë në të ardhmen, t’u jepen mandate. Kjo është vërtetë absurde!” theksoi Maleska, “Nëse duam të jetojmë në krizë… atëherë urdhëroni të dashur qytetarë votoni sërish për të njëjtët!”

Sipas Malevskës, qytetarët mund ta ngrenë zërin me anë të protestave për të shprehur mos-pajtim dhe rezistencë. Por vendin nga kriza mund ta nxjerrë vetëm një zgjidhje e drejtë për krimin dhe korrupsionin. Megjithatë sipas saj, është e vështirë të pritet një vendim i këtillë, sepse në bisedat e përgjuara u dëgjua se si pikërisht organet gjyqësore kanë bërë shkelje masive të të drejtave të njeriut.

As analisti politik, Alajdin Demiri nuk mendon se kandidimi i liderëve të dy partive në pushtet do të ishte e moralshme. Por sipas tij, në politikë nuk ka moral. Ai tha se dy liderët në fjalë, vazhdimisht punojnë për ta penguar PSP-në, pasi zvarritja e punës së PSP-së ju mundëson atyre që formalisht të bëhen bartës të listave. E me emërimin për deputetë do të fitojnë imunitet, që do të jetë dhe një pengesë për PSP-në, shkruan Portalb.mk.

“Deputetët gëzojnë imunitet. Deputeti nuk mund të thirret në përgjegjësi penale ose të arrestohet për mendimin e shprehur ose për votimin në Kuvend. Deputeti nuk mund të arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit, përveç nëse kapet në kryerje e sipër të veprës penale për të cilën është përcaktuar dënim me burg në kohëzgjatje prej së paku pesë vitesh…”thuhet në Nenin 64 të Kushtetutës së RM-së.

Gjithsesi, morali nuk është çështje diskutimi për dy partitë politike në pushtet.

Në pyetjet “A ka mundësi që i lideri i partisë Tuaj të jetë bartës i listës zgjedhore këtë herë?” dhe “Z. Bujar a është e moralshme që ai të jetë bartës i listës zgjedhore, përderisa përmendet në të a.q. Bomba dhe është thirrur nga PSP për dëshmi kohë më parë?” zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani me përgjigje:

“Kjo pyetje është aq e ulët, e pabazë dhe tendencioze sa që nuk meriton vëmendjen tonë.”

Nga VMRO-DPMNE, Nikolla Poposki në intervistë për emisionin “360 gradë”, nuk përjashtoi mundësinë e kandidimit të liderit të partisë dhe atë se ky kandidim është i moralshëm, përderisa nuk ka vendim gjyqësor që do ta vërtetonte fajësinë e tij.

“Mendoj se raporti mund të jetë një dhe i vetëm, për këtë vendos populli në zgjedhje. Nuk do të doja të hyja në asnjë spekulim që ka të bëjë me çfarëdo procedure meqë parakushti kryesor që të kemi shtet juridik është presumpsioni i pafajësisë. Përderisa diçka nuk dëshmohet se dikush është fajtor për diçka me dëshmi në kuadër të procedurës gjyqësore, secili është i pafajshëm… ndërsa vendimin e marrin qytetarët në raport me politikën.”tha Poposki.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu