Njohësit e çështjeve politike thonë se zotimi i liderit të partisë shqiptare në pushtet,Ali Ahmeti, i cili në një tubim para forumit rinor të partisë së tij, është zotuar se do të angazhohet që të përmbyllet përfundimisht çështja e gjuhës shqipe nuk është asgjë tjetër përpos mungesë ideje për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shqiptarët, shkruan REL.
Ata thonë se Ahmeti “ka harruar se pikërisht kjo parti ka qenë në pushtet për14 vite”.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, tha gjithashtu se do të bëjë “që gjuha shqipe të përdoret si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë”.
“Fokusimi i partisë shqiptare në pushtet në çështjen e gjuhës ka për qëllim që të dëmtojë opozitën shqiptare, që si shtyllë bazë ka synimin e zgjidhjes së kësaj çështje”, thekson Selim Ibrahimi, Drejtor i Qendrës për Studime te Sigurisë.
Ndryshe, gjatë ditës së diel, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në shpalosje të platformës së partisë ka theksuar pesë pikat kyçe të saj, në mesin e të cilave; mandati i përhershëm i prokurorisë speciale publike, barazi të plotë ekonomike, vendimmarrje konsensuale, angazhim për integrimin e vendit në BE dhe NATO dhe njëherësh duke u fokusuar në çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
“Gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare, sigurisht që duhet të përmbyllet, e tërë procesi i marrëveshjes paqësore të Ohrit .Marrëveshja paqësore e Ohrit dhe kushtetuta e Republikës së Maqedonisë e definon qartë gjuhën shqipe, gjuhën të cilën e flasin mbi 20% të popullatës, e cila gjithashtu është gjuhë zyrtare”, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Por, Dervish Alimi, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës në departamentin e gjuhëve, thotë se moszgjidhja e statusit të gjuhës shqipe edhe 15 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit krijon barriera të mëdha sa i përket avancimit pikërisht të administratorëve të rinj shqiptarë, të cilët janë të punësuar qoftë në institucionet e pushtetit lokal apo atij qendror
“Mungesa e një ligji të qartë që e definon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare paraqet hendikep për administratorët shqiptarë, të cilët kanë studiuar në gjuhën shqipe dhe që ballafaqohen me probleme rreth përdorimit të terminologjisë profesionale, i bën të duken se janë të aftë në kryerjen e detyrave kundrejt adminsitratorëve maqedonas.”
“Kështu që premtimi i zgjidhjes së statusit të gjuhës shqipe është vazhdimësi e premtimeve të kahershme. Një parti e cila është në pushtet 14 apo 15 vite është e pakuptimtë të flet në kohën e ardhshme, sepse ka pasur kohë aq shumë vite për të realizuar këto obligime që burojnë nga marrëveshja e Ohrit, por duhet të fokusohet në atë se çka ka bërë deri më tani”, thekson Dervish Alimi, profesor universitar.
Ndryshe, në Kushtetutën e Maqedonisë nuk është definuar qartë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, por ajo përkufizohet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e shtetasve në Maqedoni. Në nenin 7 të kushtetutës thuhet : “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare”.
Ky përkufizim krijon hapësirë për interpretime të ndryshme, pasi në vazhdim të nenit 7 ajo përkufizohet si zyrtare, vetëm se në njësitë e pushtetit lokal, ku pjesëtarët e bashkësive etnike që janë mbi 20 për qind do të mund të përdorin gjuhën e tyre në komunë, si dhe në komunikimin me pushtetin qendror.