Deputeti Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, në një debat në televizionin Nova tha se para disa viteve partia e tij ka nisur me iniciativën për të tërhequr votues maqedonas, të njëjtën që sot po e bën LSDM, transmeton Portalb.
“Ai proces është nisur nga njerëz që tanimë nuk janë pjesë e BDI-së. Sistemi një partiak që e ka trashëguar LSDM etablon politikë të dy apo tre personave të një bashkësie, nëpërmes të se cilëve do të përfaqësohen interesat e shqiptarëve, duke thënë se ato nuk duhet vet të organizohen. Dërgojnë sinjal se shqiptarët nuk duhet të organizohen që të kërkojnë universitet, gjuhë zyrtare, 30 mijë punësime, investime të huaja në pjesën veriperëndimore, flamur, ndarje territoriale, barazi, … dhe se ata do t’ia zgjidhin çështjet. Ende nuk ka ardhur koha për koncept qytetar të partive politike”, deklaroi Grubi në emisionin “Argument”.