Lideri i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë në takimin në Matejç të Likovës ka thënë se patriotizmi më i madh është që tek të rinjtë të ketë kuadro të përgatitura, të rinjtë t’i orientojmë në universitete sepse vetëm me shkollim mund të ecim para.
“E ardhmja është këtu, shqiptarët të investojnë në hapësirat e tyre, e jona ka qënë në vazhdimësi të punojmë me Evropën perëndimore me SHBA-të për të marrë nisma të tilla, si parti ne bëjmë politikë, ligje për të mbrojtur investitorët që ata të jenë të sigurt për kapitalet e tyre, të garantojmë paqe e stabilitet dhe çdo investitor në radhë të parë kërkon siguri”, ka thënë Ahmeti, njofton Aktuale.mk, duke shtuar se ne kemi kaluar shumë kriza, por, “këto dy vitet e fundit është një nga krizat më të mëdha që ka pasur vendi pas 2001″.
“Që nga mbarimi i zgjedhjeve 2014 ku opozita braktisi Kuvendin, pasuan pastaj përgjime të montuara e çmontuara pa e ditur kush sesi kanë ndodhur ato gjera. Vendi hyri në një krizë pa rrugëdalje. Ne bëmë gjithçka si BDI dhe vlerësuam se në dobi të shqiptarëve në radhë të parë, që të mos jemi sehirxhinj që të menaxhojmë dhe për të gjetur rrugëdalje dhe kjo krizë të arrihet drejt zgjidhjes”, ka thënë Ahmeti.
Madje, lideri i BDI-së Ali Ahmeti në takimin me banorët e Matejçit të Likovës ka thënë se, “ne jemi ata që dimë të hartojmë politika e ndërtojmë strategji”.
Ndërkaq, edhe Ahmeti ka vënë në dukje copëtimin e votës shqiptare që vjen me formimin e partive të reja.
“Le të bëhen të gjithë bashkë kundër BDI-së, por mos ta copëtojnë votën shqiptare sepse ashtu ajo bëhet e parëndësishme, forca zvogëlohet. Ne duhet të jemi të rëndësishëm, i rëndësishëm bëhesh me njerëz po dhe numrat janë shumë të rëndësishëm për demokracinë, konsensualitetin”, ka thënë numri një i BDI-së Ali Ahmeti.