Regjistri Qendror ka larguar nga procedimi ankesat për ndryshimin e emrave të dy shkolla në Çair, mëson jozyrtarisht Alsat M. Ankesat e dërguara nga udhëheqësit e shkollave deri te ky institucion janë larguar tërësisht nga sistemi i procedimit pa një epilog, sikur të mos ishin bërë kurrë. Ankesat kishin të bënin me vendimin e zv.ministrit Spiro Ristovski për mosndryshimin e emrave të shkolla “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov” në “Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi”. Nga Regjistri Qendror, përsëri morëm vetëm heshtje totale.
“Tashmë disa muaj me radhë, Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë vazhdon të heshtë për çështjen e emrit të shkollave në Çair dhe nuk sqaron çështjen. Për më tepër ata na kanë drejtuar te Komisioni i shkallës së dytë për ankesa pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, i cili praktikisht, është inekzistent.” Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë i kanë bërë thirrje Regjistrit Qendror të mos politizojë çështjen dhe të mos e pengojë procesin. Ky institucion, prej kohës ka shkelur edhe afatin prej 15 ditësh për të vendosur mbi ankesat. Të kontaktuar nga Alsat, udhëheqësitë e shkollave në fjalë sot nuk pranuan të flasin por thanë se pas ankesave të bëra që në pranverë, nuk dinë më ku të drejtohen dhe kanë hequr dorë. Ish ministri i arsimit Abdilaqim Ademi në fund të largimit nga posti ka firmosur vendimin për zyrtarizmin e emrave të këtyre dy shkollave kurse disa orë më vonë vendimi është shfuqizuar nga zëvendësi i tij Spiro Ristovski. Kohë më parë u zyrtarizuan vetëm emrat e dy shkollave të tjera në Çair, “Hasan Prishtina” dhe “Jashar Bej Shkupi”.