Me largimin të edhe një tjetër punonjësi në Entin Shtetëror të Statistikave, arrin në 21 numri i përgjithshëm i shqiptarëve të cilët për shkak të diskriminimit që u bëhet në këtë institucion, janë larguar nga puna.
Besim Miftari, është i fundit në këtë listë. I kontaktuar nga Televizioni Shenja, ai tha se për më tepër se 10 vite, ka dhënë kontribut maksimal në punën e tij, megjithatë asnjëherë nuk është avancuar dhe as nuk ka arritur të trajtohet në mënyrë të barabartë me kolegët e tij maqedonas.
“Arsyeja kryesore është se gati 10 vite unë kam qenë i nënçmuar i diskriminuar, i shantazhuar dhe më nuk mundesha ta duroj këtë gjë, dhe prandaj vendosa që fatin tim ta kërkoj dikund tjetër më.
Për të punësuarit shqiptarë në ent, vetëm punë duhet të bëjnë ndërkaq beneficione, gjëra të tjera , avansime, trajnime, udhëtime jashtë vendit, asesi nuk ka pas, gati 11 vite”, deklaroi Besim Miftari, ish i punësuar në ESHS.
Ai tha më tej, se atij dhe kolegëve të tij, disa herë u është premtuar nga përgjegjësit dhe drejtoresha e tyre, se do të rregullohet shumë shpejt gjithçka, megjithatë edhe pas 10 viteve, situata vazhdon të qëndrojë në të njëjtën pikë.
Miftari tha se as kërkesat e tyre tek politikanët shqiptarë, nuk kanë ndihmuar në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje të mundshme.
Se Enti shtetëror i Statistikave nuk i përmbush të gjitha standardet sa i përket përfaqësimit të drejtë, këtë e pranoi edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, duke iu përgjigjur pyetjes së banorëve të Matejçit se kur do të realizohet regjistrimi i popullsisë.
“Kur aty të jetë përfaqësimi i drejtë, shqiptarët të jenë të angazhuar dhe sistemuar në drejtori të rëndësishme të Entit statistikorë, atëherë mund të organizohet regjistrimi, sepse edhe nuk duhet të jemi shumë euforik në këtë drejtim, mos të ngutemi shumë në këtë drejtim.
Derisa Enti statistikor nuk i përmbush të gjitha standardet për të bërë një regjistrim real.“, kishte deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. /albeu.com/