Përse Rama vazhdon të tallet me Bashën

Nga: Andi Bushati

Edi Rama e ka hapur vitin e ri politik me një tallje të re ndaj Lulzim Bashës. Ai e ironizoi liderin e opozitës si dikë që ka hequr dorë nga slogani për largimin e kryeministrit pa zgjedhje dhe që pas aventurave radikale, do të kthehet si djali plangprishës në sfidat e reja elektorale.

Gjatë gjithë intervistës në emisionin “Java” në RTSh, lexohej hapur krenaria e atij që ka pasur të drejtë dhe ironia ndaj opozitës që ka dështuar në gjithçka.

Risia e këtij qëndrimi, nuk është as përbuzja që kryeministri autoritarist ka për kundërshtarin dhe as aftësia e tij për të shndërruar çdo fabul serioze në karagjozllëk, por fakti se në këtë pikë ai fatkeqësisht ka të drejtë.

Në gati një vit rugëtim radikal, opozita ka gabuar pothuajse gjithçka.

Basha i ftoi idhtarët e tij në mitingjet e para madhështore të pranverës së shkuar duke i mikluar me iluzionin se rrëzimi i regjimit ishte çështje ditësh. Ai i ushqeu ata me idenë se në këtë vend nuk mund të zhvilloheshin zgjedhje me Ramën kryeministër. Ai u betua se do të digjte kutitë dhe qendrat e votimit për të mos lejuar farsën e 30 qershorit.

Ai vuri bast se asnjë socialist nuk do të arrinte të hynte në zyrën e kryebashkiakut të Kavajës apo Kamzës. Ai nuk shpjegoi kurrë me transparencë se ç’farë shantazhi, kapjeje apo kërcënimi, i zbythi atë dhe Kryemadhin nga këto përbetime. Ai u mjaftua me gënjeshtrën e radhës që pas pushimeve të verës protestat do të vijonin më të forta, ndërkohë që ato nuk ndodhën më kurrë.

Me ardhjen e vjeshtës, jo vetëm që kryengritja u harrua, por bashkë me të u fshi nga fjalori edhe sllogani: “zgjedhje pa Ramën kryeministër”. PD e zëvendësoi me iluzionin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në të njëjtën ditë, duke i mëkuar mbështetësit e saj me po atë lugë të zbrazët që u ofron prej kohësh. Ajo filloi ta mbajë tinëzisht një këmbë brenda tryezës së reformës zgjedhore dhe arriti kulmin me paqen e përkohshme që i ofroi kryeministrit pas tërmetit, por që fatmirësisht u shkatërrua shpejt nga presioni i popullit opozitar.

Le të jemi të qartë. Dështimi për tu përballur në mënyrë të dhunshme me një rregjim nuk përbën domosdoshmërisht një turp. Të kesh muskuj më të dobët dhe fuqi më të mpakura ndaj një pushteti monist, të korracuar edhe me miliardat e oligarkëve me të cilët bashkëqeveris, me banditët dhe trafikantët që i përdor si trupa paramilitare, për nevojat e tij edhe me të gjitha mediat e mëdha që e bëjnë të zezën të bardhë, nuk përbën një domosdoshmërisht një mëkat.

Por, kur dogji mandatet dhe vendosi të bojkotojë 30 qershorin, opozita kishte përpara dy rrugë : ose të përmbyste shpejt dhe përdhunshëm qeverinë ilegjitime të rilindjes, ose ta shfrytëzonte këtë kohë për të bërë një ndryshim radikal, në imazh, në cilësi dhe në thelb të vetvetes. Versioni i parë ofronte një fitore të shpejtë, i dyti një proces me të gjatë, por më të sigurtë dhe më shpresdhënës, si për opozitën, po ashtu edhe për mbarë shoqërinë.

Nëse në mosarritjen e objektivit të parë, faji nuk është tërësisht i saji, në dështimin e ditëpasditshëm të të dytit, Lulzim Basha mban përgjegjësinë e plotë.

Ai nuk po di as të ngjalli shpresë, as të afrojë figura të reja, as të japë garanci për të nesërmen. Shembujt me të cilët mund të ilustrohej ky dështim janë të panumurt, por unë do të thellohem vetëm tek njëri prej tyre.

Pak a shumë në të njëjtën kohë me mbëritjen e krizës politike në pikën më kritike, në arenë u shfaq edhe një lëvizje qytetare me një kërkesë konkrete dhe preçize: ndryshimin e sitemit zgjedhor, nga ky aktual të ndarë me qarqe dhe me lista të mbyllura, në një model me lista të hapura, ku deputetët të votohen direkt nga qytetarët dhe jo të emërohen nga kryetarët në zyra të mbyllura.

Inisiativa e “Nisma Thurje” që shëtiti pak a shumë në të gjitha qytetet e vendit, mes skepticizmit dhe heshtjes së mediave, arriti të mbledhë mbi 50 mijë nënshkrime. Ata qytetarë që iu bashkuan asaj, ndoshta një pjesë e bënë vetëm prej revoltës dhe prej zhgënjimit nga klasa e vjetër politike, por shumë të tjerë qenë të ndërgjegjshëm se mostra që pollën ndryshimet kushtetuese të 2008, për ta lënë vendin vetëm në dorë të një njeriu (që kontrollon edhe qeverinë edhe parlamentin edhe partinë personale) duhet zhbërë.

E këtu pyetja që shtrohet është: A duhet të gjejë PD-ja rrugën të afrohet me lëvizje të tilla qytetare, ndërkohë që bën thirrje bosh për një front të përbashkët kundër rregjimit? A duhet ajo të dijë ta dëgjojë zërin e revoltës së mijra firmëtarëve duke dëshmuar se mund të heqë dorë nga monopolizimi i opozitarizmit? A ka luksin ajo që të lejojë, që flamurtarë të kauzave të tilla të bëhen disa sharlatanë të së ashtuquajturës opozitë zyrtare?

Natyrisht një zgjedhje e tillë, kërkon sakrifica, kërkon të ndash pushtet dhe të heqësh dorë nga vendimmarrja personale. Ajo të obligon të bashkjetosh, jo me “yes-man”, por me shpirtra kritikë. Ajo të detyron të largohesh nga çiliminjtë e fryrë, që të vetmen punë që dinë të bëjnë është të lexojnë deklaratat për shtyp.

Deri më tani PD ka dështuar turpshëm në këtë rrugë. Premtimi i saj më i madh, nën rreshta, nuk duket të jetë përmbysja e sistemit, por qeverisja e të njëjtit, pak më mirë dhe pak më ndershëm sesa Rama.

Pra thënë këtë, ajo i nxit njerëzit të besojnë tek mirësia apo ndërshmëria e Bashës, Bardhit, Palokës, Kryemadhit, Shehit apo Mediut dhe jo tek një korpus ligjesh ndryshimesh e rregullash që do të jepnin garanci për mospërsëritjen e të njëjtave mëkate.

Por fatkeqësisht, me kaq pak, opozita e ka të pamundur të ngjalli besim. Pa propozuar një paketë të plotë, për një president që mund të zgjidhet nga populli, për rikthimin e dinjitetit të çdo deputeti (përmes zgjedhjes së drejtpërdrejtë), për një parlament më të fortë ku qeveria mund të rrëzohet me një mocion të shumicës, për rishikimin nga fillimi të reformës në drejtësi, misioni i Bashës dhe i atyre që i shkojnë nga pas, është pothuajse i pamundur.

Ata do të dështojnë me përpjekjen për të bërë një diferencë cilësore me Ramën, njësoj siç u zbrapsën në tentativat për ta rrëzuar me dhunë atë.

Në vend të këtij reflektimi të thellë, në vend të këtij kalvari privimesh nga pushteti personal, në emër të kauzës së përbashkët, Lulzim Basha duket se ka zgjedhur formulën që nuk e besojnë më as militantët gjithnjë e më të paktë që i qëndrojnë poshtë zyrës: atë të fitores së zgjedhjeve të parakohshme (të përgjithshme dhe vendore) me Ramën kryeministër.

Pikërisht për këtë Rama vazhdon të tallet me të. Sepse më mirë se kushdo ai e di se pa ndryshuar fushën dhe rregullat e lojës, askush nuk mund ta mundë në terrenin ku ai sundon i mbështetur nga oligarkët dhe kriminelët me të cilët bashkëqeveris.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu