I blinduar nga badigardë të shumtë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti me një delegacion partiak qëndroi dje në fshatin Mateç të Komunës së Likovës ku mori pjesë në përurimin e shkollës së renovuar fillore të këtij fshati, raporton SHENJA. Gjatë një takimi me banorë lokal, në zonën e cila karakterizohet për numrin më të madh të shqiptarëve të shpërngulur viteve të fundit, Ahmeti foli për integrime, zgjidhjen e krizës politike dhe shtoi se partia e tij merret me politika të mëdha. Duke folur për shpërnguljet, Ahmeti porositi banorët e Komunës së Likovës se Evropa është lodhur nga migrantët.
“Nuk mund të përparosh as në vendet skandinave, as në vëndet e Evropës Juglindore, por perspektiva duhet të kërkohet këtu, e ardhmja duhet të kërkohet këtu, sepse edhe vendet e Evropës janë lodhur nga njerëz që kanë vërshua”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Por në një çast kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pranoi vetë se shkak i shpërnguljeve është pikërisht mungesa e investimeve.
“Ato shtatore ato shkolla qëpo ndërtohen, ato universitete duan të rinj, duan studentë dhe si do të qëndrojnë njerëzit këtu duke mos ju ofruar perspektivë”, tha më tej ai.
Kreu i integristëve tha se problemi më i madh pas vitit 2001 ka qenë kriza e fundit politike dhe se ky ka qenë përkushtimi kryesorë i partisë së tij. Sipas Ahmetit, shqiptarët dhe maqedonasit në këtë shtet kanë halle të njëjta.
“Gjithë këtë angazhim të BDI-së, në drejtim të kërkimit të zgjidhjes për të dalë nga kriza e anatemuan, e quajtën se ne jemi hyzmetqarë të VMRO-së. Kur niset zjarri nuk duhet që kush përvlohet në atë flakë dhe ne nuk dashëm as flakë për vete por as flakë e zjarr për bashkëqytetarët tanë sepse jetojmë në të njëjtat halle, në të njëjtat hapsira”, deklaroi Ahmeti.
Për moshapjen e kufirit Llojan-Miratoc, Ahmeti fajsoi Serbinë, por premtoi hapjen e këtij kufiri duke lënë të kuptohet se kjo pritet të ndodhë kur Serbia do të integrohet në BE.
“Problemi është pak më serioz në Llojan. Ne e dijmë se Serbia është në një përplasje të fortë me Kosovën por edhe me shqiptarët. Edhe Serbia nuk mund të jetojë e izoluar, edhe ajo pretendont ë jetë pjesë e BE-së. Të jesh pjesë e BE-së dhe të blllokosh kufij, nuk ka mundësi”, shtoi më tej kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Ndryshe, fshati Mateç ku qëndroi mbrëmë delegacioni i BDI-së është një nga fshatrat më të rrezikuar nga shpërngulja e shqiptarëve. Në këtë fshat për çdo vit dhjetëra nxënës braktisin shkollën duke u shpërngulur me familje në vendet e BE-së, ndërsa ashtu si edhe në fshatrat e tjerë aq klasa sa ka në fshatrat e Likovës po aq ndodhen jashtë vendit.
Ahmeti: Nuk ndalen të rinjtë këtu kur s’kanë… by tvshenjaofficial