Debati në “Click Plus”: Çfarë qeverie do të ketë Maqedonia pas 11 dhjetorit? (VIDEO)

Nga reformat dhe raporti i Pribe-s nuk ka ikje, ndërsa tani çështja më e rëndësishme është se si qeveria e re do të sigurojë stabilitet në mes të qytetarëve, të cilët aktualisht janë të ndarë, thanë disa nga bashkëbiseduesit në debatin e mbrëmshëm të “Klik Plusit”. Sipas redaktorit të “Nova TV”, Borjan Jovanovskit, praktikisht në zgjedhjet e ardhshme do të ketë referendum për atë se çfarë shteti do populli.

„Mendoj se ky është momenti kur ne do t’i sqarojmë çështjet e rëndësishme dhe historike. Këto do të jenë zgjedhjet pas së cilave do të ketë proces për zbatimin intensiv të rekomandimeve të Pribe-s. Kur të ngitemi në këmbë, atëherë do të shkojmë në zgjedhje në të cilat do të diskutojmë për vlerat e të Djathtëve dhe të Majtëve”, tha ai.

Një lider i fortë, do të arrinte t’i mbledhë të gjitha partitë më të vogla politike, të cilat nuk pajtohen me partinë në pushtet dhe nuk do të lejonte që partitë më të vogla si “FRODEM-i” dhe “E Majta” vetë të marrin pjesë në zgjedhjet, tha analisti politik, Aleksandër Pandov, në lidhje me vendimin e partive më të vogla që vetë të marrin pjesë në zgjedhje.

“Për opozitën tani, vendi i deputetëve është i shenjtë. Atje tani po bëhet një luftë e ashpër, sepse para se gjithash, Zaevi ka obligime para njerëzve të tij të cilët i kanë dhënë jetë partisë dhe para komitetit, ku secili prej tyre e sheh veten si deputet. Ai gjithashtu ka ofertë politike edhe për shqiptarët, besoj se do të jetë i detyruar të japë një vend të rëndësishëm edhe shqiptarëve, si dhe personave që protestuan. Besoj se kjo do të ngjallë pakënaqësi te LSDM-ja dhe se Zaevi nuk do të arrijë t’i qetësojë ata”, theksoi Pandov.

Sipas analistit politik, Alber Musliu, ka shumë pak gjasa të ketë marrëveshje ndërmjet partive që deri mbrëmë nuk kanë pasur asnjë pikë të përbashkët.

“Në dashuri dhe në politikë gjithçka është e mundur. Por, është e vështirë që disa liderë të partive do t’i tejkalojnë traumat individuale që i kanë përjetuar dhe se me personat e njëjtë që i sulmojnë të bëjnë marrëveshje dhe pastaj këtë të na servojnë neve si sukses ideologjik për qëllime më të larta. Prandaj, reagimi i qytetarëve do të jetë pragmatik dhe nuk besoj se do të hynë në situata të këtilla”, tha Musliu.

Përderisa Musliu dhe Jovanovski pajtohen se, siç thonë, nuk ka ikje nga reformat dhe raporti i Pribes-s, analisti Pandov është me qëndrim se në rast se fiton VMRO-DPMNE-ja, kryetar i Qeverisë, prapë pritet të jetë Nikolla Gruevski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu