Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë një konference për shtyp me homologun e tij ukrainas, Pavlo Klimkin, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Tiranë, deklaroi se çështja çame nuk mund të zgjidhet me kërcënime, por mbi bazë të parimeve ndërkombëtare.
“Shqipëria është e palëkundur për të qenë një vend inspirues i politikës së mirë, të drejtë dhe të ndershme mbi bazën e ndërsjellë me fqinjët tanë dhe është një vend i cili do të vazhdojë të kultivojë këtë përqasje në rajon. Është një vend i cili ka shfaqur qartë, hapur të gjitha pozicionet dhe pikëpamjet në lidhje me disa çështje të mbartura, të cilat duam t’i zgjidhim dhe t’i trajtojmë në kuadër të vlerave evropiane dhe parimeve ndërkombëtare, që nuk njohin as gjuhën e kërcënimit, dhe as konsumin e brendshëm për çfarëdo lloj rrethane që mund të jetë ky konsum”, tha mes të tjerash Bushati.