“U shkel Marrëveshja e Prespës”, Greqia notë proteste Maqedonisë së Veriut

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka marrë një notë proteste nga Ministria e Jashtme e Greqisë për shkelje të Marrëveshjes së Prespës, për emrin e shtetit.

Siç ka bërë të ditur shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, Athina zyrtare ka reaguar ndaj një veprimi të Ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Reshella Mizrahi, meqë në një konferencë për media, mbrapa saj ka qëndruar tabela me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë”. “Marrëveshja e Prespës duhet të zbatohet në tërësi. Ajo i hapi rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe kandidaturës së fuqishme të saj për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Dimitrov duke lexuar pjesë të notës së protestës. Ministrja e Punës dhe e Politikës Spciale, Mizrahi është anëtare e VMRO DPMNE-së, e cila nuk e pranon Marrëveshjen e arritur, më 17 qershor të vitit 2018, për ndërrimin e emrit nga “Maqedoni” në “Maqedonia e Veriut”.

VMRO DPMNE-ja është në opozitë por bazuar në ligjin për qeverinë, ajo tani merr pjesë në qeverinë teknike dhe përveç Ministrisë së Punës drejton edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov ka kërkuar nga Ministrja e Punës, që të largojë tabelën dhe të kthejë të rejën me emrin Maqedonia e Veriut në të kundërtën tha se do t’i kërkojë kryeministrit shkarkimin e saj. “Me këtë akt, ajo jo vetëm që shkeli Kushtetutën, por gjithashtu shkeli edhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Ajo po i nxit marrëdhëniet me Greqinë, krijon probleme në realizimin e qëllimeve strategjike prej dy dekadash të vendit tonë, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Ministria e punës dhe politikës sociale nuk është apartamenti i saj privat, siç nuk është edhe Kushtetuta një copë letër e zakonshme. Asaj mund të mos i pëlqejë, por nuk i jep asaj të drejtën të mos e zbatojë atë “, ka deklaruar ministri Dimitrov. Por, në një reagim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale hidhen poshtë pretendimet e shefit të diplomacisë. “Është e drejtë demokratike e çdo qytetari të reagojë ndaj padrejtësive. Tabela me emrin e vjetër është i trashëguar, nuk ka asnjë tabelë me emër të ri. Pra, ekziston vetëm një tabelë në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale edhe atë ish ministres, tani zëvendëskryeministrit për çështje Ekonomike, Milla Carovska”, ka deklaruar Ministrja e Punës, Rashella Mizrahi. VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se në rast se fiton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill do të nis menjëherë procedurat për kthimin e emrit të vjetër të shtetit dhe me këtë do të anulojë Marrëveshjen me Greqinë.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu