Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është diskutuar për organizimin dhe funksionalizimin e komisioneve parlamentare.
Pas kësaj mbledhje, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se të enjten do të ketë seancë ku do të bëhet konsitutimi i komisioneve parlamentare.
Duke folur rreth bojkotit të kësaj mbledhje nga PDK, Osmani shtoi se nuk ka asnjë arsye për bojkot.
“Kjo temë është e mbyllur, PDK ka filluar bojkotin e institucioneve më 3 shkurt në qoftë se ata dëshirojnë të gjejnë arsye sesi e dekoroj unë zyrën time le të përdorin arsyetime të tilla sepse ata nuk e kanë guximin që ta tregojnë të vërtetën. Bojkoti i tyre është politik”, tha Osmani.
Ajo shtoi se bojkoti i tyre filloj më 3 shkurt kur e lëshuan sallën e Kuvendit kur u votua Qeveria dhe unë si kryeparlamentarë.
Osmani shtoi se deputetët e opozitës më shumë sesa detyrim ndaj Kuvendit kanë detyrim ndaj qytetarëve që të përfaqësojnë interesat e tyre.
“Nuk ka asnjë arsye për bojkot, dhe shpresoj që do të ndryshojnë këtë çështje”, tha Osmani.