Nga Kim Mehmeti
Të dhënat tregojnë se kjo pandemi nuk i rrezikon fëmijët (ku bëjnë pjesë edhe nipat e mbesat e mia) dhe të rinjtë (ku bien edhe fëmijët e mi). Kjo më mjafton që të mos kem ndonjë arsye madhore pse t’i frikohem këtij virusi.
Si më frikacaku i kësaj bote, me këtë nuk dua të them se ne të moshuarit nuk duhet të kujdesemi për vetveten, por se nuk na ka hije të vajtojmë e t’i shkulim flokët nga frika, thuajse dikush përnjëherë dhe papritur, na e ka sjellë lajmin për diçka që nuk e kemi ditur: se jemi qenie të vdekshme.
Pra dua të them që të mos trembemi nëse nuk ka vend për të gjithë ne nëpër spitale, sepse edhe kur jemi nën përkujdesjen e mjekëve, ne mbetemi vetëm në duart e Zotit!
Ndërkohë i shoh liderët partiakë të Maqedonisë si të qetë, e pa e dramatizuar situatën, shkojnë te Presidenti i shteti ku vendosin t’i shtyjnë zgjedhjet parlamentare. Gjithashtu e shoh edhe Ministrin e Shëndetësisë, i cili nga disa herë në ditë, por pa mbjellë fikë te banorët e këtushëm, raporton për numrin e të infektuarve dhe për masat që ka ndërmarrë qeveria. Dhe them në vetvete: o Zot, ruaj fëmijët dhe të rinjtë e vendit tim dhe të kësaj bote, që të ketë kush t’u gëzohet bukurive që ke krijuar mbi këtë tokë!
I përcjell rregullisht edhe daljet publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës, të cilët me qetësinë ë burrështetasve të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, të krijojnë bindje se je në duart e sigurta. Dhe them në vetvete: o Zot, shtoje kujdesin dhe mëshirën mbi popullin tim në Kosovë, mos i mbyll nëpër shtëpi ata që kjo Evropë nuk i lejon të shëtisin lirshëm nëpër botë, ata që ende nuk i kanë shëruar plagët nga lufta e deridjeshme dhe ende nuk e kanë tejkaluar trishtimin që ua solli ajo luftë!
Kuptohet nuk mund të mos e përcjell edhe atë që ndodhë në Shqipëri. Dhe e shoh Kryeministrin e atjeshëm, i cili i drejtohet popullit nga Surreli, dhe i cili edhe në këto rrethana gjen kohë ta reklamojë vetveten, të ironizojë me opozitën duke i rekomanduar që jo vetëm duart, por t’i lajë edhe sytë, t’u tregojë qytetarëve në cilën orë të mbrëmjes të mbyllen nëpër shtëpitë e veta, thuajse ai e dinë se virusi Covid-19 punon në ndërrimin e natës.
Dhe sa herë që e shoh me atë pamje si i dalë nga shpella them: o Zot dyfishoje kujdesin dhe mëshirën ndaj mëmëdheut tim sepse, përpos se nga kjo pandemi, ai është i lënë pa Gjykatë Kushtetuese, e pa shumë institucione tjera që janë shtyllat e një shteti, sepse në mëmëdheun tim nuk dihet se vallë politika e drejton mafinë apo mafia politikën dhe se, mëmëdheu im nuk është i rrezikuar vetëm nga kjo pandemi, por edhe nga virusi i quajtur ‘Rilindja’ e Piktorit, i cili tani, si kurrë më parë, ndjehet si pronar i vetëm i vendit!