5 mënyrat se si do të ndryshojë bota me Trump-in president

Fitorja e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mund t’i ndryshojnë marrëdhëniet e Amerikës me pjesën tjetër të botës, madje në disa mënyra të rëndësishme, transmeton Express.
Ja si:

TREGTIA E LIRË

Nëse Donald Trump i plotëson politikat e veta për tregtinë, atëherë do të jetë ndryshimi i vetëm më i madh në mënyrën se si Amerika bën biznes me pjesën tjetër të botës në dekada të tëra. Ai ka kërcënuar se do t’i prishë një numër të marrëveshjeve për tregti të lirë, përfshirë marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore midis SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, të cilën e fajëson për humbjet e vendeve të punës. Ai po ashtu ka sugjeruar se do ta largojë Amerikën nga Organizata Botërore e Tregtisë, transmeton Express.

NDRYSHIMI KLIMATIK

Trump ka thënë gjatë fushatës se do ta anulonte marrëveshjen e Parisit për ndryshim klimatik, e nënshkruar nga më shumë se 195 vende në dhjetor 2015. Ai po ashtu ka thënë se do t’i anulojë të gjitha pagesat amerikane për programet e OKB-së për ngrohje globale.

MBYLLJA E KUFIJVE

Trump e filloi fushatën zgjedhore duke premtuar se do ta ndalonte emigrimin ilegal në SHBA, se do ta ndërtonte një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, dhe se do të dëbonte 11 milionë emigrantë pa dokumente.

NATO

Trump e ka kritikuar NATO-n duke thënë se është e vjetërsuar dhe i ka karakterizuar anëtarët e saj si aleatë mosmirënjohës të cilët përfitojnë nga bujaria e Amerikës. Ai thotë se Amerika nuk mund t’i mbrojë më vendet evropiane – dhe në Azi – pa kompensime adekuate, duke sugjeruar se do t’i tërhiqte trupat amerikane nga ato vende, nëse nuk paguhen.

RUSIA

Trump ka thënë se beson se mund t’i ulë tensionet me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe e ka lavdëruar këtë të fundit duke e cilësuar si lider të fortë, me të cilin do të donte të ndërtonte marrëdhënie të mira.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu