Hapet edicioni i 19-të i panairit të librit ‘Tirana 2016’

Është hapur sot edicioni i 19-të i Panairit të Librit “Tirana 2016”, me anë të një ceremonie të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, në ambientet e të cilit shtëpitë botuese do të prezantojnë dhe ofrojnë për publikun botimet e tyre për disa ditë me radhë, raporton Anadolu Agency (AA).

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, gjatë ceremonisë së hapjes u shpreh se gjatë panairit do të organizohen edhe disa aktivitete.

“Panairi i librit është me të vërtetë një festë e bukur e kulturës shqiptare dhe mund të them pa hezitim që është aktiviteti më i madh kulturor që bëhet në Shqipëri. Ky panair do të ketë shumë aktivitete, shumë risi dhe shumë promovime librash. Do të organizohen seminare, konferenca, mbi problemet e përkthimit dhe botimeve në gjuhën shqipe”, është shprehur Ymeri.

Në këtë panair marrin pjesë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe më gjerë. Pjesë e panairit është edhe Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, ku në stendën e tij do të prezantohen për publikun materiale nga aktiviteti i tij, si dhe materiale promovuese për Turqinë. Gjithashtu në stendën e Institutit “Yunus Emre” është ekspozuar edhe botimi i Anadolu Agency (AA), i përgatitur për kronologjinë e tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO.

Ky është panairi i 19-të që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe do të qëndrojë i hapur deri më 13 nëntor, ndërsa marrin pjesë rreth 90 shtëpi botuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu