Clinton: Donald Trump është presidenti ynë, duhet t’i shkojmë pas

Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, ka folur ëpr herë të parë pas humbjes së saj nga kundërkandidati Donald Trump, duke i uruar atij mandatin dhe duke i kërkuar që të jetë një president i suksesshëm.

Ajo iu është drejtuar mbështetësve të saj, duke u thënë se ky nuk ishte rezultati që prisnin, por u është përjetësisht mirënjohëse për kampanjën që ndërtuan.

“Mbrëmë e urova Donald Trump. Shpresoj që ai do të bëhet një president i Suksesshëm për të gjithë amerikanët. Ky nuk është rezultati për të cilin punuam fort dhe më vjen keq që nuk fituam dhe të promovojmë vlerat në të cilat besojmë.

“Por ndjehem mirënjohëse për kampanjën që ndërtuam. Ju prezantoni më të mirën e Amerikës, dhe të isha kandidatja juaj ishte nderi më i madh i jetës time”.

Hillary Clinton, po ashtu tha se nga humbja po përjeton zhgënjim, ashtu sikurse edhe ata që në këto zgjedhje e mbështetën me votë, dhe tha se Trump është kryetari i shtetit të tyre dhe duhet respektuar.

“E di që jeni të zhgënjyer, sepse edhe unë jam. Donald Trump do të jetë presidenti ynë dhe ne do ta respektojmë”.

Gjatë këtij fjalimi, ish-sekretarja e Shtetit Amerikan po ashtu deklaroi se SHBA-ja është e hapur për të gjithë, gjë që Donald Trump nuk e ka thënë gjatë fushatës së tij.

“Demokracia jonë kushtetuese na kërkon që të marrim pjesë në zgjedhje çdo katër vjet, dhe programet tona duhet të ndërtohen mbi bazën e mbrojtjes së vendit tonë dhe planetit tonë”.

“Vendi ynë është i hapur për të gjitha racat, për të gjitha komunitetet, thënë shkurt, për të gjithë”.

Ndër të tjerash, ajo nuk ka harruar ta përmendë edhe presidentin në largim Barack Obama, për të cilin ka thënë se SHBA-ja i ka një borxh të madh.

“Michelle dhe Barack Obama, vendi ynë ju detyrohet shumë dhe ju ka borxh një mirënjohje të madhe”.

Në fjalimin e saj pas disfatës së pësuar në garën presidenciale në SHBA ka falënderuar të gjithë amerikanët për lidershipin që sipas saj kanë treguar në këto zgjedhje, transmeton Klan Kosova.

“Jam falënderuese ndaj Bill dhe Chelsea dhe të gjithë burrave dhe grave që kanë punuar në këtë fushatë. Dua t’ju them se kjo ka qenë një nga fushatat më të mira presidenciale që kam parë. Falënderoj secilin që ka dhënë kontribut nga pesë dollarë deri në shumë më të mëdha”, ka thënë Clinton.

Ajo ka sugjeruar gjithë amerikanët që mos të dorëzohen kurrë në sfida, pavarësisht se mund të kenë përpos ngritjeve edhe rënie.

“Unë tërë jetën time kam luftuar për të drejtat e njerëzve. Kam pasur edhe dështime, edhe ju do të keni edhe suksese edhe dështime, por kurrë mos u ndalni në atë që besoni”, ka shtuar Clinton. /Klan Kosova/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu