A po ia rrezikon Pacolli postin e presidentit Thaçit?

Në kohën kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi po tenton që përmes takimeve me partitë politike të gjejë një konsensus lidhur me reformën zgjedhore e zërat për zgjedhjet të jashtëzakonshme janë shtuar, kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shprehur qartë pretendimet e tij për të marrë postin e të parit të vendit.

Pacolli, ish-president i Kosovës, i motivuar nga republikani Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në SHBA, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se bota perëndimore sot e preferon profilin e biznesmenit për të udhëhequr shtetin.

Ai ka thënë se Trump do të jetë njëri ndër presidentët më të mirë të historisë së SHBA-ve, sepse profili i politikanit biznesmen është profil praktik, që sipas tij, kërkon vetëm rezultate pozitive.

Duke u lidhur me gjendjen aktuale në vend, Pacolli ka thënë se në Kosovë nuk po lejohen zgjedhjet presidenciale, pasi sipas tij, ai do t’i fitonte ato bindshëm.

“Kosova ka nevojë për 2 gjëra: Për shtet ligjor, zhvillim ekonomik dhe punësim. Unë do të fokusohem në ndërtimin e shtetit ligjor. Një shtet i fortë ligjor do t’i fuste në burg ata 20 njerëzit përgjegjës të shkatërrimit të ekonomisë dhe perspektivës së Kosovës. Zhvillimi ekonomik i vendit është pjesa ime që e njoh më së miri. Unë e kam planin konkret që sjell rritje ekonomike 10 përqind dhe hap 80 mijë vende pune çdo vit”, ka deklaruar Pacolli.

Por, njohës të rrethanave politike në vend, ka thënë për “Bota sot” se orekset për pushtet të kreut të AKR-së, nuk janë të realizueshme.

Sipas tyre, edhe nëse presidenti në Kosovë do të zgjidhej drejtpërdrejtë nga vota e popullit, Pacolli nuk do të mund të triumfonte përballë Thaçit, jo të paktën pa ndihmën e elektoratit të partive të tjera.

Analisti politik, profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi, ka thënë se z.Pacolli ka kohë që e ka paraqitur pretendimin për të ndërruar sistemin politik të vendit, duke kaluar nga ai parlamentar në atë presidencial.

Por, për të arritur këtë, Kelmendi ka theksuar për “Bota sot” se kërkohen ndryshime të mëdha kushtetuese. Megjithatë, sipas tij, këto ndryshime janë të pamundura për shkak të situatës aktuale politike në vend.

“Natyrisht se zgjedhja e presidentit të ri në SHBA ka hapur orekset e njerezëve që vijnë nga ekonomia se me mjete financiare arrihet edhe pozita e tillë. I këtij mendimi është z. Pacolli. Ai don të bëhet president. Kjo është sëmundje feminore në politikë, kuptohet e karrieristeve të tillë, sepse këta kështu mendojnë se hapet perspektiva e fitimeve të mëdha”, ka thënë Kelmendi.

Por, ai ka shtuar se me këtë nuk rrezikohet tash fare presidenti Thaçi, pasi ai, sipas Kelemendit e ka mandatin kushtetues dhe vetëm me 2 të tretat e deputetëve mund të largohet nga ajo pozitë.

“Tjetër rrugë nuk ka. Dua të them se orekset mbesin. Ato nuk ikin. Po tjetër është realizimi i kësaj dëshire me vota të drejtpërdrejta të votueseve. Arritja e tillë don shumë ndryshime në sistem. Në Republikën Parlamentare nuk ka President si në SHBA”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota Sot”.

Ndërsa, publicisti Faik Krasniqi, ka thënë se edhe Hashim Thaçi, tash është për zgjedhjen e Presidentit nga vota e popullit.

Ai prej zgjedhjes së tij President, siç ka thënë Krasniqi, haptazi disa herë ka bërë të ditur se mandatin e dytë si president do ta dëshironte vetëm nëse zgjedhja bëhet prej popullit, duke e ditur fare mirë se në rast të triumfit do të ketë një pushtet shumë më të fuqishëm se aktualisht.

Aandaj, sipas tij, ai edhe ka rikthyer në tavolinë temën në fjalë që dështoi vite më parë në mungesë të vullnetit të partive politike.

“Padyshim që ky propozim i Hashim Thaçit, që Presidenti të zgjedhet nga populli, është një nga taktikat e tij të shumta, që sa më gjatë të jetë pjesë e politikës (pushtetit). Pse jo edhe një mandat tjetër si President, ose sipas dëshirave të këtyre politikanëve, edhe për disa mandate. Kur populli, analistët, shoqëria civile dhe disa nga partitë politike kërkonin që Presidenti të zgjidhet për votës së popullit, Hashim Thaçi ishte kategorikisht kundër kësaj ideje, jo vetëm ai por shumë parti politike në Kosovë. Por, tash i duhet të mendojë për mandatin tjetër, prandaj vjen edhe me propozime të tilla”, ka thënë ai, duke shtuar se me votën e elektoratit të partisë së tij dhe partive tjera që do ta mbështesnin, do të kishte gjasa të madhe të fitonte edhe një mandat tjetër.

Sipas Krasniqit, edhe nëse Presidenti do të zgjidhej përmes votës së popullit, Pacolli nuk do të mund të triumfonte përballë tij, jo të paktën pa ndihmën e elektoratit të partive të tjera, të kundërshtarëve të Thaçit.


1 Koment

  1. boll dhe ki thaqi anger ne tja lishon pacollit pak se tre perqindsh ke pak per kto dy shtaj niqindperqin me i japen pak ramushit dhe limes pak kush met pa hic kupa tona kushmet pa hic a a stubcat a bukoshi a haha un s kam mar hic ma akshi mutin ju patrijotat ta hajnis kur s ke pas shtet dhe s ja din shtetit dhimten jeni puntort e uhj fito me durt etu ni here ooh mutaa bre kejt

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu