Pse është e rëndësishme që shqiptarët të përfaqësohen në qeveri me partinë fituese dhe cilat janë strategjitë afatgjate të partive maqedonase

Nga: Ylldrit BOMOVA

Maqedonia e Veriut ndodhet shumë pranë zgjedhjeve parlamentare, si gjithmonë edhe kësaj here të parakohëshme por ndryshe nga herët tjera këto zgjedhje po zhvillohen në një situatë krejtësisht të pazakonshme. Jemi në pikun e fushatës elektorale ku partitë me gjithë kufizimet dhe pamundësitë për tubime masive, takime të shumta dhe aktivitete të ndryshme elektorale, po mundohen të përçojnë tek votuesit mesazhet e tyre, platformat dhe programet që premtojnë për një 4 vjeçar qeverisës.

Ndarja e formacioneve politike vazhdon të jetë ajo e zakonshmja, blloku shqiptar dhe ai maqedonas, ku për ndryshim kësaj here kemi një koalicion parazgjedhor mes një partie shqiptare dhe një maqedonase, për të vazhduar më pas me formacionet politike brenda bllokut shqiptar dhe atij maqedonas ku për fat të keq, shqiptarët vazhdojnë të thellojnë edhe në këto zgjedhje përçarjen e votës, ndërkohë ku tek pala maqedonase kemi 2 forcat kryesore, njëra prej të cilave kërkon besimin edhe të votuesit shqiptar.

Zgjedhjet e vitit 2016 i gjetën shqiptarët me 7 parti që garonin në zgjedhje, ku 5 prej te cilave ishin ndarë në dy koalicione, dhe 2 partitë e vjetra të bllokut shqiptar që garonin të vetme, një numër rekord partishë shqiptare që në fund të zgjedhjeve, shqiptarëve ju shkaktuan një humbje jo më pak se 10 deputetë.

Fraksionimi i votës shqiptare ka qenë dhe mbetet një nga strategjitë e vjetra të partive maqedonase dhe jo më kot kohëve të fundit kemi pasur edhe qeveri të zgjeruara me përbërje shumë partiake me qëllim që partitë e vogla të mund të sigurojnë egzistencën e tyre politike nëpërmjet një apo dy ministrive dhe disa drejtorive.

Kjo mënyrë e përbërjes qeveritare jo vetëm që do vazhdojë të synohet nga partitë maqedonase edhe pas këtyre zgjedhjeve, por për ndryshim, ato kanë filluar të mendojnë si të hedhin një hap më tej, fraksionuan partitë shqiptare, e defaktorizuan votën e tyre, filluan të përfshijnë në përbërjen e qeverisësë dy apo tre parti shqiptare njëherësh dhe tani presin të realizojnë synimin e kahmotshëm: Një qeveri me parti të vogla shqiptare, pa partinë që do dalë fituese e zgjedhjeve me numrin më të madh të deputetëve.

Ky skenar është tejet i dëmshëm, një qeveri me përbërje të tillë, me parti të vogla shqiptare pa koordinim mes tyre, do ulë ndjeshëm numrin e ministrive, drejtorive dhe të gjitha posteve nga nivelet më të larta deri tek punësimet e thjeshta që duhet tju takojnë shqiptarëve. Kalkulimet dhe pazaret vetëm se kanë filluar, ajo çka ofrohet që para zgjedhjeve është dukshëm shumë më pak se çfarë arrijnë të marin shqiptarët sot nga kulaçi qeveritar, partitë e vogla nuk do mund të punësojnë as militantët e tyre, të gjithë do detyrohen që për një punësim të kalojnë nga partia maqedonase ku kuptohet, shqiptarëve do ju takojë përherë ajo që është më pak e rëndësishme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu