Nga gjithsej 21.029 sa janë paraqitur, 20.629 mërgimtarë janë pranuar në listën e votuesve që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votojnë në njësinë e shtatë për zgjdhjen e tre deputetëve të diasporës, njoftoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Zgjedhjet në diasporë do të mbahen më 10 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve që do të zhvillohen në vend, ndërsa do të votohet në gjithsej 41 përfaqësi diplomatike-konzulare të Republikës së Maqedonisë.
Numri më i madh i votuesve janë paraqitur në Bern 4256 gjithsej, në Veneci 2724, në Detroit 1170, Nju Jork 1168, Mellburn 1112, Romë 1078, ndërsa në metropolat e tjera botërore dhe evropiane nga më pak se 1000 votues në secilën prej tyre. Ndërkaq në Tokio, Nju Dellhi, Athinë, Astana, Kairo, Kiev, Talin, Telaviv dhe Selanik janë paraqitur më pas se 10 votues andaj në këto vende nuk do të zhvillohet votimi. Duke pasur parasysh numrin e lartë të votuesve të paraqitur në Bern dhe Veneci KSHZ do të risë numrin e vendvotime me tre vendvotime shtesë në Bern dhe dy të tjera në Veneci.
Bashkë me paraqitjen e votuesve në diasporë, më 11 nëntor përfundoi edhe afati për paraqitjen e 29.858 votuesve të vlerësuar si votues të dyshimtë të cilët u fshinë nga lista e votuesve gjatë kontrollit të kaluar. Në afatin e dytë, siç njofton zyrtarisht KSHZ është paraqitur një numër tejet I vogël dhe vetëm 1.517 votues të cilët u fshinë tani do të rikthehen në listën e votuesve, ndërsa pjesa tjetër prej më shumë se 28 mijë votuesve nuk do të jenë në listën e votuesve të 11 dhjetorit. Sipas burimeve partiake pjesa më e madhe e këtyre votuesve të fshirë nga lista, janë shqiptarë që gravitojnë në njësinë e gjashtë dhe të dytë zgjedhorë.
Lista përfundimtare e votuesve do të përmbyllet më 26 nëntor. Paraprakisht më 22 nëntor KSHZ do të dorëzojë listën partive politike të cilat do të kenë afat shtesë për dorrëzimin e ankesave dhe vërrejtjeve të tyre. Më 27 nëntor KSHZ publikon zyrtarisht verzionin final të listës së votuesve. Ndërkohë në seancën e sotme ntë Komisionit Shtetëror Zgjedhor, me vota unanime është hedhur edhe lista e kandidatëve për deputetë të partisë Lëvizja Popullore e Maqedonisë e drejtuar nga Janko Baçev.
Ky vendim është marë pasi anëtarët e KSHZ-së kanë konstatuar mospërputhje të nënshkrimeve dhe parregullsi dhe ndryshime të kandidatëve në lista. Kështu në një njësi kjo parti thuhet se ka propozuar 21 kandidatë për deputetë, ndërsa lista numëron vetëm 20, ndërsa në diasporë ku duhet të garojnë 3 kandidatë kjo parti ka kandiduar 4 emra. Për njërin nga kandidatët thuhet se nuk ka figuruar as në listën e votuesve. Nga partia në fjalë janë kundërpërgjigjur me një reagim me shkrim duke hedhur si të pavërteta të gjitha konstatimet e KSHZ-së. (Shenjatv)