“The Guardian”: Njihuni me Kryeministrin artist të Shqipërisë (VIDEO)

Mund të debatohet se cili vend ka godinën e qeverisë më të bukurën në botë, që nga Elizeja magjepsëse, fortesa Kremlin apo Holli i Madh i Popullit në Pekin, por vështirë se gjen një zyrë udhëheqësi në botë të ngjashme me atë të Edi Ramës. Kështu nis një artikull prestigjiozja “The Guardian” për Kryeministrin e Shqipërisë.

“Ato që mbulojnë muret e zyrës së tij janë me qindra vizatime shumëngjyrëshe dhe abstrakte të vizatura nga vetë ai”, thuhet më tej në artikullin e gazetarit Jason Farago, i cili ka zhvilluar edhe një bisedë me Edi Ramën.

“Nëse arti nuk mund të përmirësojë politikën, ndonjëherë politika me çmendurinë e saj mund ta bëjë artin akoma më të mirë”, citohet Kryeministri në intervistën e dhënë për gazetarin e “The Guardian”.

Intervista është realizuar para se Rama të hapte në galerinë “Marian Goodman Gallery” të Nju Jorkut ekspozitën e tij.

“Rama po përgatitet për të hapur ekspozitën e parë në Shtetet e Bashkuara. Është padyshim kreu i parë i një shteti që hap një ekspozitë të tillë në një prej galerive më të famshme në botë; as George Ë.Bush, që nisi të pikturojë vetëm pasi mori Presidencën, nuk mundi të ekspozojë veprat jashtë librarisë së tij në Dallas”, vijon artikulli.

Në artikull flitet për 11 vitet e Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, ngjyrosjen e pallateve të kryeqytetit si dhe ardhjen në pushtet në vitin 2013, reformat dhe ambiciet euro-integruese të vendit.

“Shqipëria është ende e varfër dhe korrupsioni vijon të jetë endemik megjithëse vendi ka bërë progres. Shqipëria po troket në dyert e Bashkimit Europian, ku shumë vende dëshirojnë të anëtarësohen, pavarësisht Brexit”, mbyll artikullin “The Guardian”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu