Diçka e paparë më herët në skenën politike kosovar po ndodh, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon bashkëpunim dhe ndihmë nga Partia Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Hoti.
Lëvizja Vetëvendosje e ka kuptuar se pa bashkëpunimin dhe ndihmën e PDK-së vështirë se do ta kenë të mundur rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke parë se AAK dhe Nisma janë në Qeveri dhe nuk e përkrahin një mocion të tillë.
Për Vetëvendosjen është pikërisht, menaxhimi i dobët me pandeminë nga Qeveria Hoti, që ka shtyrë ata të marrin një iniciativë të tillë.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Vetëvendosjes, ka thënë për Ekonomia Online se mocioni ndaj Qeverisë është parë si nevojë e domosdoshme për të ndal keq menaxhimin me pandeminë.
Kryeziu po thotë se Vetëvendosje po kërkon bashkëpunimin edhe të tjetrës parti opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, me të cilën deri më tani nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim.
“Ne kemi bërë thirrje të enjten, deri më tani kemi 31 nënshkrime, shefi i grupit tonë parlamentar Rexhep Selimi është në pritje të PDK-së që ti jep komentet e saj në kuadër të tekstit të mocionit dhe të ofrojnë përkrahjen e tyre të cilën e kanë thënë publikisht, paraprakisht”.
“Konsideroj që ky far lloj komunikimi me PDK-në po ndodh në kuadër të suazave të partive në opozitë që kanë një qëllim të përbashkët”.
Aktualisht Vetëvendosje i kanë 31 nënshkrime dhe janë në përpunim e sipër të tekstit të mocionit, ata janë në pritje të shtesave në tekstin e mocionit që do t’i bëjë GP i PDK-së, grup ky që ka 24 deputetë.
Kujtojmë se më 25 mars të këtij viti ish- Qeveria Kurti ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj.