Halepi nën bombardime intensive

Prej mesditës së djeshme rajonet e kontrolluara nga opozitarët në Halep ndodhen nën valën e bombardimeve të rënda, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, Bibers Mishal, një zyrtar i mbrojtjes civile, tha se “që prej mëngjesit të ditës së djeshme avionët rusë dhe ato të regjimit të Asadit nuk janë larguar nga qielli i Halepit.”

Mishal ka thënë se krahas bombardimeve nga ajri, regjimi sirian, ka bombarduar me artileri të rëndë edhe nga toka.

Duke theksuar se në lagjen Shear është goditur edhe një shkollë, Mishal në vijim tha: ”Ekipet e shpëtimit e kanë shumë të vështirë të shkojnë në vendngjarje për shkak të bombardimeve të rënda. Popullata nuk del dot nga shtëpitë si rrjedhojë e frikës.”

“Ambulanca që shkoi në vendgjarje u bombardua”

Duke nënvizuar se një ambulancë që shkonte në vendngjarje është bombarduar, Mishal ka njoftuar se numri i civilëve që kanë humbur jetën në sulmet ajrore të 24 orëve të fundit është 22 në lagjen Shear, 13 në lagjen Sukkeri, 4 në Ensari, 2 në Dahret Avad dhe 1 në Bab Nejrab.

“Çdo gjë që lëviz bombardohet. Populli është në panik. Nuk di çfarë të bëjë. Të plagosurit nuk munden të dërgohen as në spitale”, ka shtuar ai.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau, ditën e djeshme dënoi sulmet e regjimit dhe Rusisë në Halep. “Sipas raportit të fundit janë goditur 5 spitale dhe një ambulancë. Kjo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar të luftës”, ka thënë ajo.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ditën e djeshme deklaroi se forcat ruse prej 28 ditësh nuk fluturojnë mbi Halep.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu