Partitë politike pa “marrëveshje” për fushatë të qetë zgjedhore

Pak ditë përpara fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, partitë politike nuk kanë ndërmarr asnjë nismë për të firmosur pakt elektoral për fushatë pa incidente.

Megjithatë partitë shqiptare zotohen të paktën në mënyrë deklarative se do të angazhohen për zhvillimin e fushatës dhe zgjedhjeve në mënyrë paqësore, pa dhunë dhe retorikë nxitëse.

BDI ka deklaruar se Marrëveshja e Përzhinës duhet të shërbejë si garanci për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike megjithëse nuk përjashtojnë mundësinë e nënshkrimit të një pakti elektoral.

“Do t’i përgjigjemi pozitivisht një nisme serioze që nuk do të bëhej vetëm me qëllim të fitimit të pikëve politike”, thuhet nga radhët e BDI-së.

Për PDSH-në, edhe pse VMRO dhe BDI kanë bërë shkelje flagrante të proceseve zgjedhore në të kaluarën, edhe këtë radhë përgjegjësia për organizimin e tyre bie mbi partitë në pushtet.

Lëvizja BESA gjithashtu ka theksuar se do të mbështes çdo iniciativë të mirëfilltë që parashikon organizim të zgjedhjeve të lira dhe pa dhunë.

“Ne si koalicion jemi për zgjedhje fer, të lira, demokratike dhe pa dhune. Çdo iniciative e mirëጔlltë ne këtë drejtim do ta këtë përkrahjen tonë”, theksuan nga Lëvizja Besa.

Ndërkohë nga Lëvizja për Reforma PDSH përveç një pakti parazgjedhor kërkojnë që pas zgjedhjeve të gjithë partitë politike shqiptare të cilat do të marrin qoftë edhe një mandat, të ulen në tryezë të përbashkët dhe të caktojnë vijat e kuqe të interesave shqiptare, për të cilat qeveria e re do të obligohet që ti implementojë.

“Nëse do të ketë iniciativë të tillë padyshim që “Aleanca për shqiptarët” do të jetë nënshkruese e saj.

Zgjedhjet fer dhe demokratike duhet të jenë synim i palëkundur i të gjitha partive politike”, thanë nga LR PDSH. Megjithatë për profesorin Zemri Elezi firmosja e një Kodi për mirësjellje nga ana e partive politike nuk do të mjaftonte.

Sipas tij partitë që do të garojnë në zgjedhje duhet të fokusohen
në oferta konkrete dhe jo retorika nacionaliste dhe nxitëse,përcjell alsat.

“Nuk është me rëndësi që të nënshkruhet kodi vetëm për fushata parazgjedhore, retorikat e tyre që më së shumti besoj se do të jenë nga partitë në pushtet ato do të bëjnë lloj-lloj retorika që ta mbajnë pushtetin ngase kanë llogari të tjera ndaj këtij elektorati që të paguajnë nëse nuk janë në zgjedhje është çështja e ndjekjeve penale nga ana e prokurorisë speciale.

Por unë më së shumti kam frikë që ditën e zgjedhjeve mund të ketë manipulime të llojeve të ndryshme”, deklaroi Zemri Elezi, profesor.

Pas incidenteve zgjedhore të vitit 2008 në bllokun shqiptar, një pakt i tillë elektoral u bë i domosdoshëm mes liderëve kryesor shqiptarë.

Në vitin 2011 Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi me iniciativë të ambasadorëve të Shqipërisë, atij amerikan dhe të BE-së firmrmosën një marrëveshje për fushatë pa incidente.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu