Vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli si duket nuk po u mjafton monopoli i homologimit te automjeteve vetëm në tregun e Kosovës, i cili deri me tani u ka sjellë të hyra dhjetëra milionëshe me Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), prandaj po synojnë që këtë biznes fitimprurës ta shtrijnë edhe në tregun e Shqipërisë.
Portali “Infokusi” ka siguruar një dosje voluminoze e cila dëshmon përpjekjet për gati një dekadë të Blerimit dhe Shkëlqim Devollit për ta marrë të drejtën e “plaçkës” në emër të këtij monopoli edhe në Republikën e Shqipërisë, duke konkurruar bashkë me shtetas shqiptar. Për dallim nga Kosova kur në vitin 2009 e mori me shume lehtësi monopolin e homologimit të automjeteve me një vendim të ish- ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe zëvendësit të tij, Adem Grabovci.
Nga viti 2009 e deri me tani për homologimin e një veture të sjellë nga jashtë, kosovarët detyrohen t’i paguajnë nga 125 euro në llogari të QAK-ut, pronë e vëllezërve Devolli. Ndërsa gjatë një viti në Kosovë, sipas statistikave të Doganave të Kosovës, mesatarisht importohen rreth 20 mijë vetura.
Sipas kësaj dosjeje qe ka siguruar “Infokusi”, vëllezërit Devolli përpjekjen e parë për të hyrë në tregun e Shqipërisë e kanë bërë në mars të vitit 2008, ku kanë hapur kompaninë e njëjtë në kuadër të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Tiranë.
Atë kohë kompania është regjistruar me emrin tregtar “Devolli Company”, me pronar të vetëm Blerim Devollin.
Portali “Infokusi” ka mbi 2 javë qe i ka dërguar pyetje dy vëllezërve Devolli por asnjëri nuk janë përgjigjur.
Vëllezërit me dy shtetësi
Fakti më interesant sipas kësaj dosjeje është se Blerim Devolli nuk figuron si shtetas i Kosovës, por kishte aplikuar me një shtetësi tjetër. Portali “Infokusi” posedon të gjitha dokumentet zyrtare të cilat i ka dorëzuar Blerim Devolli në Tiranë për ta regjistrua këtë biznes dhe ato do publikohen në një temë të veçantë. Kapitali themeltar i kompanisë së regjistruar fillimisht ishte 100.000 lekë, apo mbi 700 euro. Blerim Devollin kishte 100% të aksioneve të kompanisë së themeluar në vitin 2008.
Një vit më vonë, me kompaninë tjetër të tyre, “Devolli Group”, i vërsulet tregut të Shqipërisë për marrjen e të drejtave të koncesionit nga Autoriteti Publik i Republikës së Shqipërisë për themelimin e Qendrës moderne të homologimit të automjeteve. Kësaj here, kompania është regjistruar në emër të Blerim dhe Shkëlqim Devollit, por ky i fundit sipas dokumenteve zyrtare është regjistruar si shtetas i Kosovës.
Nga kapitali i mëparshëm prej 100.000 lekësh, Shkëlqimi ka rritur kapitalin në 7 milionë lekë, përderisa fondet janë ndarë në tri kompani: “Devolli company” do të participontë me 4.8 milionë lekë dhe “Devolli Group” me 2.2 milionë lekë të tjera, ndërsa “Eurolab” figuron si ortak me zero kapital financiar.
Kjo e fundit, “Eurolab”, është e autorizuar nga “Devolli”, për menaxhimin e Qendrës së Automjeteve të Kosovës (QAK).
Kontrata, investimet dhe përfitimet
Pavarësisht se të tri kompanitë, “Devolli Company”, “Devolli Group” dhe “Eurolab”, janë të lidhura njëra me tjetrën dhe pronë e vëllezërve Devolli, në Shqipëri, sipas dosjes që e posedon “INFOKUSI” shihet se janë futur si ortak në këtë biznes. Madje të bashkangjitura i kanë kontratat, ku janë të ndara aksionet dhe përgjegjësitë në investime dhe menaxhim.
Kështu që “Devolli Company” do të jetë përgjegjëse për sigurimin e pronës së patundshme prej 2.3 hektarëve, të përshtatshme për vendosjen e Qendrës së homologimit, në vlerë të së cilës i takojnë 45% të aksioneve në homologim.
“Devolli Group”, sipas kontratës, do të jetë përgjegjëse për sigurimin e 40% të financave të projektit kapital, nga kapitali vet ose duke lidhur ndonjë marrëveshje financiare.
“Eurolab”, për përgatitjen e planit të biznesit, ekspertizën industriale ka marrë përsipër sigurimin e 40% të shpenzimeve/ financave të projektit kapital.
Vëllezërit Devolli dhe ortaku i tyre nga Durrësi
Kurse 7 vite me vonë, përkatësish në fillim të këtij viti, kompania e Devollëve në Tiranë, me emrin “Euro Lab Center Alabania” , futë edhe partner nga Shqipëria në këtë biznes. Ortak i ri i tyre është kompania “Intechs Balkans” të cilën sipas kontratës e përfaron shtetasi i Shqipërisë Erindi Golemi, i lindur në Durrës.
Por e njëjta tashme synon që përpos homologimit të të gjitha llojeve të automjeteve të transportit rrugorë ta bëjë edhe kontrollin teknik të automjeteve, ngjashëm siç e gëzon privilegjin në Kosovë ku përpos homologimit merr edhe nga 5 euro prej secilës qendër të kontrollit teknik të automjeteve në emër të instalimit të kamerave monitoruese.
Kontratë kjo e dhuruar nga shteti i Kosovës, e cila i ka sjellë hiç me pak se 7.5 milionë euro vetëm gjatë periudhës 2009-2014. Derisa nga homologimi i automjeteve të hyrat vjetorë të kompanisë llogaritet të jenë rreth 2 milionë euro në vit, apo rreth 15 milionë euro nga thellimi e deri me tani.
Edi Rama: Kemi detyrim më shumë se normalisht ndaj “Devolli Corporation”
Për ta siguruar përkrahjen e tyre politike dhe në Shqipëri, vëllezërit Devolli kanë tentuar në mënyra të ndryshme të marrin përkrahjen e kryeministrit Edi Rama. Një përpjekje e tillë u bë para dy viteve kur kryeministri Edi Rama vizitoi pikërisht kompaninë Devolli në Pejë. Ai madje premtoi ndihmë konkrete për vëllezërit Devolli. “Devolli Corporation është një kompani ndaj të cilës kemi dhe një detyrim më shumë se sa normalisht”, pati deklaruar Rama në Pejë, pasi që, siç pati thënë ai, është një pioniere e bizneseve të Kosovës në Shqipëri. /INFOKUSI.COM