Forca policore kanë siguruar arritjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmë në Gostivar. Edhe pse ai nuk ka asnjë post në ekzekutiv, që t’i takojë sigurim policor, megjithatë vërehet prezencë e madhe e policisë, krahas truprojave të kryetarit të BDI-së.
Në BDI nuk sqarojnë se pse Ahmetin e sigurojnë aq shumë forca policore, e as nëse ka kërcënime ndaj tij dhe udhëheqësve tjerë të kësaj partie. Poashtu nuk japin përgjigje nëse ka rrezik për qytetarët që marrin pjesë në tubimet e tyre, duke pas parasysh se simpatizantët nuk kanë as jelekë anti-plumb (siç po spekulohet se mban Ali Ahmeti nëpër tubime), as truproje, e as policë që t’i sigurojnë secilin veç e veç.
Fokus para një muaji pat shkruar se BDI është përcaktuar për fushatë të mbyllur parazgjedhore, nëpër salla dhe restorante, duke ngritur dilemën nëse “Ali Ahmeti po frikohet nga ‘promaja’ ose nga Grupi i Kumanovës”.
Më herët, ish ministri i punëve të brendshme, Mitko Çavkov, i afërt me BDI-në (i largët me shqiptarët), pat deklaruar para disa muajve se ka pasur kërcënime ndaj disa liderëve partiakë dhe se shtëpia e zv/drejtorit të DSK-së është sulmuar me bombë.
“Nëse ende ka kërcënime apo rreziqe për sulme ndaj krerëve të saj, BDI duhet t’i informojë simpatizuesit, posaçërisht para konventës së caktuar më 20 nëntor”, thonë për Lajm ekspertët e sigurisë të cilët dëshirojnë të mbeten anonimë. Për shkak të rreziqeve të tilla eventuale, ekspertët kërkojnë që BDI mos bëjë presion ndaj qytetarëve të marrin pjesë në konventën e tyre.