BDI ka përjashtuar nga listat e kandidatëve deputetët e përbërjes së kaluar që kundërshtuan stemën me luan dhe kjo ka ndezur alarmin te krahu partiak që nuk është nën kontroll të VMRO-së. ata paralajmërojnë se nëse BDI fiton më shumë se pesë deputetë në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do të përkrahë stemën me luan në VMRO-së.
“Me Artan Gruba e Ejup Halima BDI nuk mund t’i qëndrojë karshi VMRO-DPMNE-së. Nëse VMRO fiton shumicën te maqedonasit, kurse BDI fiton pesë deputetë te shqiptarët, pas zgjedhjeve do të bëhet pjesë e Qeverisë. Në atë rast do të përkrahë propozimin që stema me luanin e VMRO-së të bëhet stemë zyrtare. Si duket Ali Ahmeti e ka vendosur që ta mbajë besën që ja ka dhënë Gruevskit për stemën me luan”, thonë burime partiake në BDI, që nuk janë nën kontroll të VMRO-së.
Aktivistët shqiptarë theksojnë se stema me luan do të ishte një gabim trashanik.
“Me këtë do të dëmtohet koncepti qytetar i Maqedonisë dhe do të mbizotërojë koncepti monoetnik dhe monopartiak, sepse dihet që Luani siç është propozuar në stemë është thuajse plotësisht i njëjtë me simbolin e VMRO-DPMNE-së. Stema e Maqedonisë duhet të ndryshojë, mirëpo pas një debati dhe konsensusi më të gjerë”, thotë për “Lajm” Enisa Beluli, aktiviste shqiptare e sektorit civil.
VMRO dhe BDI deshën të ndryshojnë stemën me luanë para dy viteve. Mirëpo ky tentim dështoi për shkak të kundërshtimeve të mëdha brenda BDI-së. Siç raportuan atëbotë mediume, qëllimin e kryetarit të kësaj partie Ali Ahmeti për të kaluar stemën me luan e penguan Gëzim Ostreni, Hazbi Lika, Rafiz Haliti, Fatmir Dehari, Zulfi Adili-Qufa, e kështu me radhë.
BDI edhe zyrtarisht pat njoftuar se pajtohet me zgjidhjen e re për stemën e re shtetërore me luanin e kuq, BDI patën thënë se luani është edhe simbol shqiptar.
“ Luani është i pranueshëm që të jetë në qendër të stemës shtetërore. E para, pasi që si heraldikë është i përfaqësues në stemat e shumë familjeve të vjetra shqiptare, gjegjësisht, luani gjendet edhe në stemën e qytetit të Tiranës. E dyta, është e pranueshme edhe kurora, pasi që e shpreh Kalanë e vjetër të Shkupit”, patën deklaruar për “Zhurnal” nga BDI.
Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Adnan Jashari pat mbështetur publikisht këtë stemë.
“Pamja e stemës së re në vete ndërthur të kaluarën e përbashkët të të gjitha popujve dhe kulturave në vendin tonë si dhe idenë e orientimit demokratik evropian. Duke u kujdesur për atë që bashkon dhe duke patur parasysh elementet e heraldikës së stemave edhe evropiane, propozimi i qeverisë së Maqedonisë për Stemën e re paraqet luanin e kuq ne një sfond të verdh, simbole këto qe i hasim që nga antika e deri te familjet e mëdha feudale shqiptare. Kurora e kalasë me pesë elementet përcjellëse simbolizon bashkëjetesën e kulturave dhe qytetërimeve iliro-dardane, prandaj me bindjen më të mirë se jemi duke bërë propozim të qëlluar dhe të qëndrueshëm shpresoj se edhe debati publik që do organizohet me këtë rast do e arsyetojë nevojën e sjelljes së këtij ligjit aq të rëndësishëm për rrumbullakësimin e shtetformësisë së RM-së. Me qëllimin më të mirë dhe përcaktimin e paluhatur për të patur një proces krejt transparent dhe kontribues në emër të ministrisë së drejtësisë si propozues formal mirëpresim çdo mendim, ide e sugjerim që do të dalë nga diskutimi i gjerë dhe gjithëpërfshirës”, pat deklaruar Jashari.
Komente dhe reagime rreth stemës së re kanë pasuar edhe nga PDSH. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Imer Aliu pat reaguar përmes rrjeteve sociale.
“A ja vlejti? Kjo pyetje është për ata 153.000 votues të BDI-së, apo më saktë ata shqiptarët në këtë numër. A ja vlejti t’i jepet vota BDI-së që për çdo ditë të poshtëron, të nënçmon, të bën të ndjehesh i pavlerë, që të vjedh e të mashtron. Një poshtërim i madh ndaj shqiptarëve ka ndodhur në mbledhjen e fundit të qeverisë ku partnerët VMRO-BDI paskan miratuar vendim për ndryshime të reja kushtetuese me çka propozohet Stemë e re shtetërore me luanin në te. Me këtë stemë Jo që nuk bëhet deetnizimi i simboleve shtetërore por ndodh e kundërta, propozohet një simbol partiak dhe tërësisht njëetnik për simbol shtetërorë!”, reagoi Imer Aliu.
Ndryshe burime partiake thonë se mbledhja e kryesisë së BDI-së ku është dashur të miratohet stema me luan është ndërprerë, por zyrtarisht nuk është mbyllur asnjëherë, që do të thotë se ajo mund të rikonvokohet sërish. (a.h.)