Ahmeti: Astritin e morën në pranga e kthyen në arkivol, e për këtë duhet përgjegjësi ligjore, morale e politike

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas publikimit të raportit të autopsisë për vdekjen e Astrit Deharit, në të cilin thuhet se ai ka bërë vetëvrasje.

“Të hënën e kaluar, kam qenë prezent në takimin e mjekëve, hetuesve, avokatëve pas autopsisë sê Astritit. Sot e lexova edhe raportin. Raporti nuk thotë asgjë më shumë se sa që thanë mjekët ditën e autopsisë, se vdekja është e shkaktuar nga asfiksia nga një objekt i fortë. Autopsia nuk thotë fare se a është vrasje a vetëvrasje. Për asfiksinë nga objekti i fortë kishte pajtim të mjekëve. Prandaj nuk e kuptoj pse nevojiteshin 11 ditë për ta publikuar këtë dokument 4 faqesh.

Sot prokurori i Prizrenit ka thënë se Astriti është vetëvrarë sepse nuk ka dëshmi se dikush tjetër ka qenë aty. Në këto dëshmi nuk ka pas qasje familja, avokatët apo ndonjë hetues i pavarur. Duke marr parasysh se e njëjta prokurori e ka mbajt në burg për 67 ditë pa aktakuzë e bile edhe pa intervistë, nevojitet urgjent hetim i pavarur për vdekjen e Astritit. Kjo do ta zbuste plagën e hapur te familjes e shoqërisë sonë.

Por, Astritin e kanë marr në pranga dhe e kanë kthyer në arkivol. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi ligjore, morale e politike. Këtë duhet ta kërkojmë përditë deri ne arritjen e drejtësisë për Astritin” (sic.), ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu