Pas gati tre dekadash protagonizëm mediatik e publik, dikush guxoi që t’i thoshte sy më sy Spartak Ngjelës atë që ai e ka, qartazi, të dukshme, por që s’i është thënë, që është një islamofob. Ndodhi kjo në OPEN-in e Eni Vasilit në TCH.
Ishte opinionisti Fitim Zekthi ai që ia tha, bashkëshoqëruar me cilësimin dhe si i “dështuar politik”. Edhe kjo e dyta është mëse e vërtetë në gjithë performancën publike të avokatit, që çuditërisht, edhe pse thirret me këtë status, profesional dhe me konotacion fisnik, nuk e përligj as në etikë këtë të fundit, siç nuk e përligj profesionalisht, gjersa askund nuk rezulton avokat në procese të bujshme dhe askush nuk e di se ç’procese të tilla ka mbrojtur për ta merituar këtë status në jetën publike.
Ngjan kjo me fatin politik të tij, ku edhe pse i dështuar në të gjitha inisiativat e tilla, ka një prezencë të pajustifikueshme në debate politike. Gjithsesi, nga pikëpamja teorike nuk mund të thuhet se është pa brum, apo se dhe dy librat e tij nuk kanë lëndë të dobishme për të kuptuar Shqipërinë politike të së djeshmes e të sotmes, por, kur bëhet fjalë për Islamin, kur guxon të flasë për Sheriatin apo epokën osmane, është një klisheist i rëndomtë që shpërfaq jo vetëm një injorancë të frikshme por dhe islamofobi bezdisëse.
Me dy kundërshtarë është përballur Islami përgjatë historisë, dje dhe sot: ata që s’ja kanë haberin e udhëhiqen nga injoranca totale, dhe ata që e dinë të vërtetën, e kanë të qartë se ç’është Islami, se është kumti më i përsosur i Zotit për njerëzit, por që nuk duan të pranojnë këtë të vërtetë.
Të parët e kanë ngërç mendjeje, të dytët zemre. Për ilustrim, Mustafa Nano është nga të dytët. Po kush do e ndihmonte Ngjelën të shpëtonte nga injoranca e tij vetëdiskretituese në raport me Islamin, apo dhe me Sheriatin, meqënëse është i lëmës së juridike? Si i lexuar, mund të zgjedhë si sfidë leximin e kryeveprës “Islami mes Lindjes dhe Perëndimit” të të ndjerit Alija Izetbegoviç.
Meta që e përmend vend e pa vend ish-liderin e famshëm boshnjak, s’besohet ta ketë lexuar, për arsye që janë shumë të lexueshme në qënien e tij. Por te Ngjela është ndryshe. Ai e do vërtet librin, e pëlqen të jetë e të prezantohet si i ditur. Ndaj, le ta sfidojë veten me Izetbegoviçin. Dhe pasi ta lexojë, o të zgjedhjë t’a rrëzojë, o të ketë kurajon të pranojë kapitullimin e tij intelektual, përballë një vepre që përbën një sfidë intelektuale për çdokënd që i pëlqen të thërritet me këtë cilësim.
Le të jetë kjo pikëkthesa e tij intelektuale, për të shpëtuar nga një lloj injorance që e bën të shëmtuar, atë e çdokënd, kur flet mllefshëm për Islamin e muslimanët. /tesheshi.com/