Vjosa Osmani: “Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e Kosovës siç i njeh Joe Biden”

Edhe kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden për fitoren në garën presidenciale të këtyre ditëve. Osmani mes tjerash nxjerr në pah dhe relacionet disi më ndryshe të Biden me Kosovës. Sipas Osmanit, Biden si rallëkush i njeh vuajtjet e Kosovës, shkruan InfoShqip.

Në vijim mund ta ndiqni të plotë deklaratën e Osmanit:

“Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë e aq afër sa Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden. Pak njerëz i kanë qëndruar pranë Kosovës në kohën kur ai na u gjend pranë. Ai ishte zëri ynë, kur ne nuk kishim zë.

Sepse mbrotja e jetës e dinjitetit njerëzor, për të ishte mbi të gjitha. Populli i Kosovës i shpëtoi shfarosjes nga regjimi serb për shkak të mbështjetjes bipartizane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por shpëtoi edhe për shkak të njerëzve si Joe Biden. Sepse ai nuk heshti kur ne tentonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk qëndroi indiferent para padrejtësive, në Kosovë e gjetiu. Prandaj edhe sonte, teksa një gazetar në CNN me lot në sy po komentonte fitoren e Biden, ai e tha atë që po e mendonim dhe ndjenim që të gjithë: “Nga sot është më e lehtë të jesh prind. Karakteri ka rëndësi. Ta thuash të vërtetën ka rëndësi. Të jesh njeri i mirë ka rëndësi”.

Joe Biden nuk heshti kur ne e përjetuam ferrin nga shteti i Serbisë. Jo vetëm pse ishte politikan i jashtëzakonshëm e i mirë, por sepse ishte edhe njeri i mirë. Si i tillë ai nuk mbyllte sytë kur një popull shtypej, por na doli në krah. Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Do të punojmë së bashku, që raportet tona speciale e aleanca jonë strategjike të forcohen edhe më tej. E mbi të gjitha, do të punojmë ta bëjmë Kosovën vend të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë, në mënyrë që t’i bëjmë krenar edhe miqtë tanë si dhe Presidentin Biden! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!” – Përfundoi Osmani./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu