Osmani: Kemi arritur progres në disa çështje me Bullgarinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se nuk mund të thotë se çfarë saktësisht pret të ndodhë në tre ditët e ardhshme në pritje të Këshillit të Punëve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian të planifikuar për 17 nëntor, në lidhje me bllokimin e Bullgarisë të kornizës negociuese dhe konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, që pritet të mbahet në dhjetor.

Ministri Osmani e deklaroi këtë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë sot për media ku foli për aktivitetet në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit shumëpalësh, me theks të veçantë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC). Osmani u pyet nga gazetarët nëse kishte ndonjë përparim në lidhje me çështjet e hapura midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe nëse do të arrihej një zgjidhje në prag të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

“Për sa i përket pozicioneve, mendoj se edhe Parlamenti bullgar edhe Qeveria bullgare kanë miratuar një rezolutë dhe një kornizë për mënyrën se si i shohin këto çështje. Sigurisht, në këtë periudhë kemi diskutuar pozicionet e të dy vendeve dhe cilat janë përafrimet e mundshme. Ne kemi bërë përparim në shumë çështje, madje do të thosha shtatë deri në tetë çështje që ishin të ndjeshme për njërën palë ose tjetrën”, tha Osmani, duke shtuar:

“Megjithatë, nëse kjo është e mjaftueshme për të zhbllokuar procesin, nuk mund të them në këtë moment por do të punojmë deri në momentin e fundit për të argumentuar se procesi i integrimit evropian nuk është një proces që është i rëndësishëm vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Bullgarinë dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, mbi të gjitha për kredibilitetin e Unionit, por edhe për dinamikën rajonale, duhet të takohemi në këto pozicione brenda asaj që mund të diskutohet”.

Kujtojmë se më 6 nëntor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, informoi se në takimin në nivel ambasadorësh COREPER, ku po shqyrtohet korniza e negociatave, Bullgaria bllokoi fazën e parë në miratimin e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Siç theksoi atëherë, Zaev, me këtë është shkelur neni 2 nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë. Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, “kjo nuk do të thotë që shanset janë të humbura, do të ketë edhe dy takime në nivel ambasadorësh, pasuar nga takimi ministror (GAK) më 17 nëntor”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu