Nuk ka shtëpi të tijën, por ka Rolex! Deklaratat e Sulejman Rexhepit që e bënë edhe Presidencën të reagojë

“Sulejman Rexhepi nuk ka as shtëpi përmbi vete! Vallahi, bilahi, tallahi… Betohem para opinionit”, u shpreh Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Përveç se thotë se nuk ka as shtëpi si pronë të tijën, ish-kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi mbrëmë në ClickPlus edhe se asnjëherë sa ka qenë në krye të Bashkësisë, nuk është marrë me financat. Orën e shtrenjtë “Rolex” thotë se ia kanë bërë dhuratë!

“Unë të betohem në Zot se Rolexi nuk është blerë prej meje, e kam dhuratë prej një maqedonasi”, theksoi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Ish-kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, thotë se deri në momentin e fundit nuk e ka ditur se do ta shkarkojnë nga posti, aq më tepër kur ai vetë, siç thotë, ka kërkuar që dikush ta marrë timonin e BFI-së, por drejtuesit e tanishëm të BFI-së nuk e kanë lejuar.

“Unë nuk e kam merituar ashtu siç kanë dashur këta të ma përfundojnë. Këtë nuk e kam merituar asnjëherë!”, potencoi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Ditën që ka ndodhur shkarkimi, Rexhepi tregon se dy pjesëtarët e BDI-së, Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti i kanë kërkuar të japë dorëheqje, duke i thënë:

“Jemi të interesuar të kursejmë prej etiketimeve të ndryshme, se janë zgjedhjet parlamentare, e të mos përzihen zgjedhjet politike me këtë punën tuaj tani”, shtoi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Rexhepi nuk pranoi që gjatë emisionit të kyçej live Skender Buzaku, i cili muaj më parë pretendonte postin e Reisit.

“Skender Buzakun e di unë sa gram ka, sa peshë ka, merret me aventura, dëshiron të bëhet i madh”, deklaroi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Buzaku i quan gafe ato që Rexhepi thotë në emisione, ndërsa shton se i dhimbset si njeri.

“Me të vërtetë ky njeri tenton që sërish ta prishë unitetin e Bashkësisë Fetare Islame dhe të mos i lërë të qetë myslimanët e vendit tonë. Në këto vite të shtyra, si haxhi-babë i vjetër, të falë namaz, të bëjë dhikër, të shkoj në xhami dhe t’i lërë të qetë besimtarët, organet e BFI-së dhe mua personalisht që t’i kryejmë detyrat tona”, u shpreh Skender Buzaku.

Sulejman Rexhepi gjithashtu pohoi se votën e tij gjithnjë ia ka dhënë BDI-së, por nuk ka bërë fushatë në popull për të, megjithatë tregoi se përfaqësues të LSDM-së dhe BDI-së i kanë kërkuar të bëjë apel për mbështetje të Stevo Pendarovskit për President.

“Kanë mundur dy Pendarovska, dy Steva, të zgjidhen me ato vota…dhe ajo dha rezultatin e vet, vetë Stevo Pendarovski më ka thënë: “kjo është fitorja jote, nuk është e imja”, theksoi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.

Por këto fjalë të Rexhepit i kanë demantuar nga Kabineti i Presidentit, duke i quajtur shpifje joserioze dhe të pahijshme.

“Presidenti Stevo Pendarovski, as para e as pas zgjedhjeve, nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi direkt ose indirekt me kryetarin e atëhershëm të BFI-së, gjë që qartë duket se pohimet e tilla nga ana e Rexhepit janë tërësisht të shpikura. Presidenti Pendarovski është zgjedhur në mënyrë legale dhe legjitime, në zgjedhje të lira dhe demokratike, e konfirmuar edhe në raportet e OSBE/OHIHR”, thonë nga Presidenca.

Sulejman Rexhepi u shkarkua nga posti i Kryetarit të BFI-së më 27 maj 2020. Më pas ai edhe vetë përmes një shkrese dha dorëheqje, pas rreth 30 vitesh në krye të Rijasetit të BFI-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu