Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij duhet të përqendrohet më fuqimisht në prodhimin, investimet, punësimin dhe eksportet. Duke ju drejtuar një takimi të Këshillit Ekonomik të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Bursave (TOBB) në Ankara, Erdogan tha se Turqia po hynte në një fazë bumi.
Ai tha se autoritetet do të vazhdojnë të mbajnë disiplinën fiskale me një qasje të orientuar drejt punësimit dhe rritjes. Presidenti i Turqisë beson se vendi do ta përfundojë tremujorin e tretë me një rritje të fortë ekonomike, falë të dhënave kryesore për shtatorin.
“Tani kemi një periudhë të re para nesh. Tani duhet të përqendrohemi më fuqishëm në prodhimin, investimet, punësimin dhe eksportet. Jemi në një kohë kur nuk mjafton të ndryshojmë shpejtësinë, por duhet të ndryshohet edhe automjeti. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta arritur atë,” tha Erdogan.
Duke theksuar se stabiliteti financiar dhe stabiliteti i çmimeve duhet të sigurohen në të njëjtën kohë, Erdogan tha se ulja e normës së inflacionit në njëshifror do të ishte një përparësi.
“Prioriteti ynë kryesor është të luftojmë inflacionin. Qëllimi ynë është të arrijmë një numër njëshifror sa më shpejt të jetë e mundur kur bëhet fjalë për inflacionin. Vendi ynë po lë pas një periudhë përgatitje dhe tani po hyn në një epokë prosperiteti,” tha Erdogan.
Ai shtoi se beson se viti do të përfundojë në rritje pozitive pavarësisht sfidave aktuale të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit. Ai gjithashtu iu referua normave të interesit, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të klimës së investimeve. “Ne nuk duhet të lejojmë që investitorët të ndalen nga norma të larta interesi,” tha Erdogan. /tesheshi.com/