Mbreti saudit kërkon nga vendet e G20-ës të adresojnë problemet e shkaktuara nga koronavirusi

Mbreti i Arabisë Saudite në hapjen e samitit të Grupit 20, ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit ka pasur tronditje ekonomike dhe humbje sociale, andaj ai u ka bërë thirrje anëtarëve të këtij grupi “që të bëjmë më të mirën për të tejkaluar këtë krizë përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Mbreti Salman u bëri thirrje liderëve të G20-ës që të “adresojnë dobësitë e ekspozuara nga kjo krizë dhe në të njëjtën kohë të mbrojnë jetën e njerëzve”. Pandemia e koronavirusit deri më tani ka lënë të vdekur mbi 1,3 milion njerëz në mbarë botën.

“Ne e kemi për detyrë që së bashku ta trajtojmë këtë sfidë gjatë këtij samiti dhe të japim një mesazh të fortë paqeje dhe sigurie”, tha mbreti saudit.

Mbreti Salman i bëri thirrje liderëve që të ofrojnë mbështetje shteteve të zhvilluara që të koordinohen për këtë çështje. Monarku saudit tha se vendet e G20-ës gjatë këtij viti duhet të injektojnë më shumë se 11 trilionë dollarë në ekonominë botërore, me qëllim që të mbështeten bizneset dhe njerëzit që janë prekur më së shumti nga kriza.

Ai gjithashtu përgëzoi grupin e G20-ës për zgjerimin e mbrojtjes kundrejt vendeve më të prekura nga recensioni botëror, përfshirë edhe vendimin e këtij grupi për të pezulluar pagesat e borxhit për vendet më të varfra të botës deri në mesin e vitit 2021, në mënyrë që këto shtete të mund të përqendrohen në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe programet stimuluese.

Mbreti Salman foli në këtë samit përmes një video-konference, për shkak se kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kanë pamundësuar që ky samit të mbahet në Riad. Arabia Saduite po udhëheqë presidencën e G20-ës për herë të parë.

Megjithatë, Mbreti saudit tha se është i “bindur se samiti i Riadit do të japë rezultate të rëndësishme dhe do të çojë në miratimin e politikave ekonomike dhe sociale që do të rikthejnë shpresën dhe sigurinë për njerëzit në botë”.

Shtetet anëtare të G20-ës përfaqësojnë rreth 85 për qind të prodhimit ekonomik botërore dhe tre të katërtën e tregtisë ndërkombëtare. Në këtë grup bëjnë pjesë ekonomitë më të pasura dhe më të zhvilluara të botës të tilla si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Turqia, Franca, Gjermania, Britania, Brazili, Rusia dhe vende të tjera.

Presidenti rus, Vladimir Putin u tha liderëve të G20-ës se Rusia është e gatshme t’iu ofrojë vaksinën Sputnik V për koronavirus shteteve që kanë nevojë. Moska pretendon se kjo vaksinë është mbi 90 për qind efektive, por për këtë vaksinë ende nuk janë kryer testimet e fazës së tretë.

Presidenti amerikan, Donald Trump po ashtu pritet të marrë pjesë në sesionet virtuale, por është ende e paqartë nëse ai do të flasë në këtë samit. Shumë nga liderët e G20-ës kanë uruar presidentin e zgjedhur, Joe Biden, i cili mposhti Trumpin në zgjedhjet presidenciale amerikane të 3 nëntorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu