Propozimi për plotësim të Rregullores për punë të Kuvendit, që parasheh deputetët të mund të punojnë online, është vendosur në rend dite për seancën e së enjtes, më 26 nëntor. Por një gjë e tillë tani për tani mbetet pikëpyetje, pasi duhen 61 vota, ndërsa një pjese e deputetëve janë në izolim ose të infektuar me Kovid-19. E opozita vazhdon ta kundërshton këtë propozim. Koordinatorët e grupeve parlamentare të partive opozitare nuk morën pjesë në takimin e rregullt me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.
“Kuvendi ka mbi 115 deputetë që punojnë dhe që janë të pranishëm në sallën plenare. Kërkesa e vetme për seancat online është numri i vogël i deputetëve që ka shumica parlamentare”, theksoi Nikolla Micevski nga OBRM-PDUKM.
“Një prej arsyjeve kryesore që nuk ishim sot në Kuvend është fakti që mbas të gjitha parametrave rregullorja për punën e deputetëve apo Kuvendit duhet të sillet me konsensus dhe atë e kemi diskutuar disa herë në koordinim tek kryetari i Kuvendit dhe nuk kemi pasur konsensus. Ndërsa ai tash në mënyrë të njëanëshme e sjell propozim ligjin për rregullore me çka e thyen çdo lloj marrëveshje që kemi arritur në kuadër të koordinimit”, u shpreh Skender Rexhepi – koalicioni “Tash është Koha”.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski shpreson se të gjithë deputetët do të mbështesin propozimin në mënyrë që të mos bllokohet për shkak të deputetëve të sëmurë.
“Pozicioni ynë është i qartë për publikun. Vetëm deputetët në izolim dhe ata të infektuar me Covid 19 të kenë mundësi të punojnë në distancë dhe ky pozicion përkon me propozimin e Kryetarit të Kuvendit Xhaferi”, potencoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
Propozimi për ndryshime në Rregullore parasheh që nëse një deputet paraqet rrezik për deputetët tjerë atëherë ai duhet të informojë Kryetarin e Kuvendit se do të punojë online. Për këtë, deputeti duhet të paraqesë dokument që konfirmon se ai nuk mund të marrë pjesë personalisht në seanca. Sidoqoftë, Kuvendi do të jetë i detyruar t’i sigurojë deputetit një kompjuter dhe pajisjet e nevojshme për të monitoruar seancat online.