Në Parlamentin Evropian pasdite u mbajt debat për financimin hungarez të mediave në Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni, në të cilin nga eurokomesarja e Drejtësisë janë kërkuar masa të qarta për parandalimin e këtij hapi të autoriteteve hungareze.
Me kërkesë të disa eurodeputetëve, pas storjeve hulumtuese të gazetarëve slloven për financime të “paqarta” të mediave nga ana e qarqeve të afërta me kryeministrin hungarez Viktor Orban, sot nënkryetarja e Komisionit Evropian përgjegjëse për drejtësinë Vera Jourova, ishte e pranishme në debatin në këtë temë dhe u përgjigj në pyetjet e deputetëve. Eurodeputetja holandeze Kati Piri, theksoi se Orbani në Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni financon organizata mediatike “pro Gruevskit dhe pro Janshës”.
“Përpjekjet propaganduese skandaloze të Orbanit në Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni janë vetëm pjesa e dukshme e akullnajës, Orbani ka një qëllim – ndërsa kjo është që të varrosë BE-në për përfitimin e tij personal, ai tentoi ta përmbysë kryeministrin e Maqedonisë Zaev dhe i dha azil Nikolla Gruevski, ai mundohet ta pengojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Pyes kur Partia Popullore Evropiane do t’i japë fund kësaj historie të dashurisë me gjemba me Orbanin? Orbani deri tani nuk arriti sukses, por ai nuk do të ndalet derisa BE-ja nuk ndërmerrni diçka”, tha Piri dhe kërkoi që urgjentisht t’i jepet fund përzierjes së një vendi anëtar të BE-së në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Deputetet nga Sllovenia, Tanja Fajon dhe Irena Joveva, në linjë të njëjtë me kolegen e tyre holandeze porositi se pushteti në Budapest dhe qarqet e afërta me Orbanin kanë për qëllim që të përzihen në gazetarinë e lirë në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut me motive politike.
“Kompanitë hungareze kanë zbatuar së paku një operacion të vlefshëm katër milionë euro për financimin e mediave në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që t’i ndihmohet Gruevskit, nëse kjo është e vërtetë, kjo është një përzierje e turpshme në proceset demokratike”, tha Fajon, deputete dhe ish gazetare.
Irena Joveva, deputete sllovene nga radhët e liberalëve e cila është me prejardhje maqedonase, përkujtoi se vetë raportet e BE-së tregojnë përkeqësim të situatave në mediat në mbarë Evropën.
“Kjo reflektohet qartë përmes përzierjes hungareze në mediat në Slloveni dhe Maqedoninë e Veriut. Qeveria sllovene, pa mbështetje nga opinioni, tenton ta transformojë Slloveninë në shoqëri joliberale, i cenon mediat dhe formon struktura paralele të financuara nga Orbani në mënyrë që t’i varrosë vlerat themelore të BE-së”, tha Joveva dhe kërkoi nga Komisioni Evropian që të ndërmerr masa vendimtare për shkak se kjo bëhet problem për gjithë Bashkimin Evropian.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jurova, i siguroi deputetët se Komisioni Evropian “bën gjithçka që mundet në kuadër të kompetencave të saj”, që nuk janë shumë të mëdha në fushën e lirisë së mediave, por porositi se Komisioni do të vazhdojë të angazhohet dhe mbështesë gazetarinë e pavarur dhe profesionale.
“Detyra e mediave është që të jenë gardianë të demokracisë, ato duhet doemos të na kontrollojnë neve që kemi fuqi, plani demokratik i veprimit që do ta propozojnë do të ofrojë disa masa për forcimin e mediave si gardianë të demokracisë”, tha Jourova.
Ajo përkujtoi se gazetarët dhe mediat janë në pozitë veçanërisht të rëndë për shkak të pandemisë nga Kovid-19, për shkak të cilës arsye bëhen gjah edhe më i lehtë për presione politike dhe ekonomike.
“Kur mediat janë të uritura ato nuk kanë zgjedhje përveçse të marrin para prej atyre që duan të imponojnë agjendë politike, kështu që duhet doemos të bëjmë çmos, masa sistemore në mënyrë që sigurojmë media të fuqishme që nuk do të bien në kurthin financiar, ato duhet të kenë para në mënyrë që ta punojnë punën e tyre”, porositi Jourova.
Ajo kërkoi që të shikohet objektivisht në situatën. “BE-ja i mbështetë mediat e financuara nga faktorët e huaj që veprojnë vetëm si faktorë biznesi, por kur ata kanë agjendë politike, atëherë diçka nuk është në rregull”, tha Jourova.
Deputetët e së djathtës dhe së djathtës ekstreme nga Sllovenia, Hungaria dhe Franca para së gjithash, shprehën pakënaqësi që mbahet ky debat në Parlamentin Evropian, duke e quajtur “cirk i palaçove“.
Nga deputetët e partisë së kryeministrit slloven Janez Jansha është theksuar se „90 për qind“ e mediave në Slloveni „janë majtiste“ dhe se nevojitet vendosje e baraspeshës në peizazhin mediatik.