Vjedhja e telefonit të kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, këtë të martë, është shumë e dyshimtë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se vjedhja e telefonit të kryeprokurorit Lumezi, është mesazh për të dërguar nga nëntoka.
“Me hy ‘hajnat’ me vjedh telefonin e kryeprokurorit naten kur ata janë në shtëpi nuk është vjedhje por mesazh.
Po i quaj kushtimisht “hajna” sepse nuk besoj se janë vetëm hajna.
Por kjo e gjitha po ndodh para syve të policisë. Kjo ndjenjë e pasigurisë që po krijohet është e qëllimtë, por është edhe shenjë e kërcënimeve të fundit që mund të bëjnë grupe të nëntokes. Bashkë kundër krimit”, ka thënë Ahmeti.
Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi, ka thënë për Insajderin se kjo vjedhje është shumë e dyshimtë, pasi nuk beson se personat që kanë hyrë në shtëpinë e tij kanë pasur për qëllim vjedhjen, pasi në të njejtin vend që ka qenë telefoni, kryeprokurori ka patur edhe laptopin, televizorin dhe pajisje tjera teknike, dhe se asnjëra prej tyre nuk është prekur.
“Unë me familje kemi qenë në katin e dytë. Dikush ka thyer dy dyer të shtëpisë dhe është futur në dhomën e ndenjës.
Aty kanë marrë vetëm një telefon timin të cilin nuk e kam përdorur që një kohë. Policia ka qenë tek shtëpia ku qëndron 24 orë në ditë”, ka thënë kryeprokurori.
Ndërkohë, vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit është raportuar nga një grua, ndërsa policia menjëherë pas lajmit ka dërguar anëtarët e saj për verifikim.
Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.