Autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës kanë heshtur lidhur me vandalizimin e Shtëpisë së Kongresit të Manastirit në ditën kur po shënohej 108 vjetori i kësaj ngjarje historike për të gjithë shqiptarët, informon INA.
Institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar për vandalizmin e Shtëpisë së Kongresit të Manastirit. Nga këto institucione nuk është dërguar as urim për këtë përvjetor, shkruan sot gazeta Zëri.
Edhe nga Tirana zyrtare nuk ka pasur asnjë reagim, edhe pse ambasadori shqiptar dje ka qenë pjesë e një manifestimi simbolik në shtëpinë e Kongresit të Alfabetit.
Ky incident ka lënë nën hije festën kombëtare, duke u dënuar nga shqiptarët e Manastirit, por edhe më gjerë. Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, kur një person i panjohur, që është kapur edhe nga kamerat e sigurisë ka thyer portën hyrëse dhe xhamat e saj si dhe ka demoluar pjesë të objektit, duke ngjitur fletushka me thirrjet “Vdekje për shqiptarët”. Ministria e Brendshme ka theksuar se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij incidenti, por duke mos dhënë detaje.
Alfabeti shqip ka shënuar 108-vjetorin e formimit. Por, ky përvjetor ka kaluar në heshtje në Kosovë. Institucionet qendrore të shtetit si dhe as ato kulturore e arsimore nuk kanë shënuar ditën e Alfabetit. Më 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit, intelektualët shqiptarë vendosën alfabetin latin me 36 shkronja, me të cilin shkruhet sot shqipja.