Mirësia e tepruar shqiptare në përplasjen Maqedono – Bullgare

Nga: Alpin Ollogu

Mirësia e shqiptarëve shpesh herë di të jetë naive. Mirësia kalon në naivitet, kur trajtimi i atyre që të kanë shtypur dhe vazhdon mentalitetin shtypës në forma tjera, bëhet trajtim i pakushtëzuar. Pozicion kur tjetri të mohon dhe privon diçka, që ti ja pohon symbyllur një diçka tjetër. Janë pikërisht ata, pjesë e madhe prej tyre, që me grimcat e fundit, mundohen të mbulojnë e mohojnë të vërtetën historike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ashtu edhe në historinë e re, me krijimin e Maqedonisë shtet i pavarur, mundësuar nga udhëheqësit e ish Jugosllavisë, shqiptarët përsëri u gjenden në kthetrat e shumicës maqedonase, asaj që ata i thonë vetes – maqedonas, herë me qasje të trashëgimisë antike, e herë me atë sllave. Diskriminimi, burgosjet, vrasjet dhe shtypja e gjithanshme e popullsisë shqiptare, vazhdoi në mënyrë të egër, deri në vitin 2001, kur shqiptarët u mobilizuan në një konflikt të armatosur kundër pushtetit dhe ushtrisë maqedonase, duke i detyruar këta të fundit të dorëzohen në kushtet e Marrëveshjes së Ohrit, për avancimin dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave shqiptare. U deshën edhe 20 vite mbas Marrëveshjes Kornizë, që maqedonasit (ata që me apo pa të drejtë i thonë vetes maqedonas), të pranojnë intepretimin e përpilimit të një ligji të veçantë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ku gjuha shqipe definohet qartësisht gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ёshtë pikërisht gjuha si dukuri esenciale shoqërore, një ndër kundërshtitë kryesore mes Bullgarëve dhe Maqedonasve.

Në kundërshtinë me Greqinë, shqiptarët ju dhanë maqedonasve mbështetje të pakufizuar, kishin apo nuk kishin të drejtë në pretendimet identitare. Ashtu edhe në kontekstin me Bullgarinë, të gjithë partitë politike shqiptare shprehen në mbeshtetje të pretendimit maqedonas për gjuhën dhe identitetin, kanë apo nuk kanë të drejtë. Herë herë duke kaluar në kalorës të vullshëm mbrojtës të identitetit maqedonas, nga tentim zhbërja e identitare e rradhës. Atë identitet që ata për hir të së vërtetës e kanë kaotik, të vonshëm dhe shumë pak të argumentueshëm. Megjithatë, ne, me mbështetjen, po ju tregojmë mirësinë e madhe, duke kaluar thuajse në naivitet fisnikërie. Pavarësisht arsyetimit për bashkangjitje tonën sa më të shpejtë në integrimet evropiane, arsyetim i cili në kontekst të kushtëzimit për njohjen e historisë dhe zbatimit të të drejtave të plota shqiptare, mbetet arsyetim i mangët.
Andaj, kësaj radhe mirësia duhet kufizuar. Ёshtë momenti i duhur, edhe pse pak i vonuar, për të treguar vigjilencë e për të kushtëzuar maqedonasit, që minimalisht të pranojnë dhe rishkruajnë në librat e historisë, të vërtetën e shqiptarëve, autoktoninë dhe demografinë historike të vendbanimeve, veçanërisht të Shkupit historik shqiptar. Ne vetëm para disa ditësh në dokumentarin e Marin Memës, pamë trajtimin policor ndaj një shqiptari, ku një gazetar i shtetit Shqiptar, dokumentonte një të vërtetë të trishtueshme për shqiptarët e Prilepit, për të cilën të vërtetë ne jemi përgjegjës të gjithë si komb, veçanërisht shoqëria shqiptare në këto hapësira.

Kundërshtia Bullgaro-Maqedonasë është momenti i duhur për ti kushtëzuar maqedonasit, për zbatimin e shpejtë dhe të saktë të gjuhës shqipe si krejtësisht të barabartë me atë maqedonase, në të gjitha nivelet dhe institucionet e vendit, konform Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nëse maqedonasit do të duan që edhe kësaj radhe ti mbështësim, të bëhëmi patericat e tyre, në lobim për identitetin, e rrejshëm apo jo, ata duhet të pranojnë të shkruar të vërtetën shqiptare, autoktoninë, demografinë, toponimet dhe figurat historike shqiptare. Në të kundërt, përsëri do marrim rolin e mirësisë naive. E kështu do të vazhdojnë të na bëhen padrejtësite identitare, edhe kur të jemi pjesë e strukturave evropiane.

Mos e humbim shansin. Të tjërët kushtëzojnë me veto, kur kanë apo skanë të drejtë, ndërsa ne mund të kushtëzojmë me bashkëqeverisjen, shtetndërtimin dhe gjithë aspektet e mundshme të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, sepse ne kemi të drejtë më shumë se kushdo në përkatësine tonë. Nuk po ju kërkojmë maqedonasve dëmshpërblim lufte, të pasojave të luftës së 2001-shit dhe gjithë dëmeve të mëdha të pas krijim shtetit, por minimalisht do duhen të pranojnë trashigiminë historike dhe pozicionin e merituar shqiptar në këtë vend. Kushtëzimi në këtë aspekt, paraqet kushtëzimin tonë minimalist, që për më shumë, është i moralshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu