Zyrtarisht jemi në ditët e para të fushatës elektorale të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Maqedoni dhe sapo kanë nisur aktivitetet e para partiake, konventat promovuese, tubimet dhe mitingjet elektorale.
Ditën e djeshme Lëvizja “BESA” promovoi kandidatët e saj për deputetë në Sallën “Boris Trajkovski”, në Shkup, në të cilin aktivitet BESA, në ditët e para të fushatës shpaloshi një organizim shumë luksoz, me shpenzime të mëdha, duke bërë pjesë të fushatës emra të njohur të muzikës shqipe, siç ishte këngëtarja nga Kosova, Shkurte Fejza, duke vënë në dispozicion të fushatës autobusë të Besës madje edhe të ngjyrosur plotësisht me sloganet e Lëvizjes Besa, e jo siç kanë bërë partitë tjera duke huazuar mjete transporti përkohësisht.
Lëvizja BESA gjithashtu i ka kushtur vëmendje të madhe promovimit të kandidatëve të saj, duke pregatitur video spote dhe materiale të tjera promovuese të pazakonta deri më tani për partitë politike në Maqedoni, por që kostoja e tyre është shumë e madhe dhe e pa-përballueshme për një parti opozitare.
Gjatë ditëve të fundit poashtu nga kjo lëvizje janë shpërndare nëpër banesa dhe shtëpi të Çairit e Shkupit, letra propaganduese me platformën e saj, këto letra shumë qytetarë i kanë gjetur poshtë dyerve të hyrjes në shtëpitë apo banesat e tyre, por që printimi i tyre ka një çmim të kripur.
Poashtu nëpër rrjetet sociale respektivisht në faqen në Facebook me emer “Lëvizja Besa Austri” bëhet njoftimi se Lëvizja Besa do të mundësojë të gjitha shpenzimet e transportit mërgimtarëve që duan të vijnë të votojnë në datën 11 dhjetor. Portali InfoShqip.com u interesua për të gjetur koston e një bilete për destinacionet drejtë Gjermanisë dhe Austrisë dhe çmimi i biletës përmes linjës rrugore me autobus nga Maqedonia, aktualisht rrotullohet nga 100 deri 150 euro, varësisht nga ofertat e Agjencive Turistike dhe për cilat qytete bëhet fjalë. Poashtu InfoShqip u interesua edhe për linjat ajrore në ditët që janë reth datës së zgjedhjeve dhe kostot e biletave për ata data e kalojnë 200 Euro dhe kjo është një shumë mjaft e madhe për një parti opozitare.
Mijëra euro për kengëtarë, ambiente me kosto të lartë, automjete dhe autobusë të “veshur” me slogane partiake, kosto udhëtimi të paguara për mërgimtarët që të vijnë për të votuar janë shenjat e para te një fushate me shpenzime maramëndëse për Lëvizjen BESA./InfoShqip.com