BDI harxhon rreth 10 milionë euro për mbrojtjen e Tarçullovskit

E vlerësuam të domosdoshme mbajtjen e kësaj pres-konference edhe pse jemi në vlugun e fushatës, tubimeve dhe takimeve me qytetarë.

Jemi sot këtu, sepse ndajmë shqetësimin e thellë të mbarë opinionit shqiptar pas publikimit të hulumtimit nga instituti prestigjioz për gazetari hulumtuese BIRN, që tregon se për – mbrojtjen e Lube Boshkovskit dhe Johan Tarçullovskit para Tribunalit të Hagës – qeveria e Maqedonisë në periudhën 2008-2013 ka ndarë 9.5 milionë euro. Pikërisht atij Johan Tarçullovskit, kriminelit të dënuar nga Gjykata e Hagës për krime ndaj shqiptarëve të Lubotenit, të cilit qeveria VMRO-BDI i organizoi pritje solemne me rastin e kthimit nga burgu ku vuajti dënimin e shqiptuar. Pikërisht atij Johan Tarçullovskit, të cilin partneri i koalicionit të BDI-së, VMRO-DPMNE e ka kandiduar për deputet në njësinë zgjedhore numër 2, ku votojnë edhe banorët e Lubotenit.

Por, ajo që na ka shqetësuar neve si çdo shqiptar në Maqedoni është edhe fakti se gjatë gjithë kohës – nga viti 2006 e deri më 2013 – sa janë ndarë mjete buxhetore për mbrojtjen e Tarçullovskit dhe Boshkovskit, pjesëmarrës në qeveri kanë qenë edhe partitë shqiptare. Bile të gjithëve na kujtohej se sa me mburrje ata rrihnin gjoks se nuk janë pjesëmarrës, por partnerë vendimmarrës.

Ne një ditë të plotë pritëm dhe nuk reaguam. Shpresuam se vetë BDI-ja do të reagojë dhe do të distancohen nga funksionarët e tyre, që kanë pasur detyrim që ta pengojnë ndarjen e kësaj shume marramendëse dhe të arsyetohen se nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Pritëm që kryetari i asaj partie, Ali Ahmeti, të dalë dhe të kërkojë falje para shqiptarëve, për shkak se ka qenë në funksion të mbrojtjes të kriminelëve të akuzuar për krime ndaj shqiptarëve të Lubotenit. Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi dhe si duket nuk ka as për të ndodhur, sepse nuk po vërehet as shenja më e vogël e shqetësimit të tij dhe të bashkëpartiakëve të tyre. Rrjedhimisht, kjo do të thotë se Ahmeti dhe BDI-ja e kanë përkrahur ndarjen e milionave për mbrojtjen e kriminelëve të dyshuar dhe të dënuar. A ka ironi më të madhe që mjetet nga buxheti, ku derdhen edhe kontributet e lubotenasve, të shfrytëzohen për mbrojtje të vrasësve të tyre? Nëse BDI-ja ka përkrahur një gjë të tillë, kjo tregon se ata nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Nëse nuk kanë mundur ta pengojnë, kjo tregon se ata nuk janë të aftë t’i dalin zot votës shqiptare.

Sa për ta pasur të qartë se sa para ia ka dhënë BDI-ja kriminelit Tarçullovski, po jua përkujtojmë se me ato para do t’u sigurohej kompensim mujor për rrafsh 40 vitet e ardhshme për 82 familje të dëshmorëve dhe 175 invalidëve të UÇK-së.

Të nderuar, sot kur ende nuk janë shëruar plagët e Lubotenit, kur ende nuk janë tharë lotët e jetimëve, partitë që ishin pjesë e qeverive që i ka mbrojtur vrasësit e bijve, vëllezërve dhe prindërve të tyre ende nuk e vlerësojnë të nevojshme të dërgojnë së paku një telegram për kërkimfalje. Kjo tregon se tragjeditë dhe dhimbjet e shqiptarëve për ta kanë vlerë relative, kurse vetëm besnikëria ndaj VMR-DPMNE-së ka vlerë absolute.

Të nderuar qytetarë,

Luboteni vetë nuk ka forcë të hakmerret më 11 dhjetor për këtë vrasje të dytë, që ia ka bërë BDI-ja. Lubotenit i nevojitet përkrahja e çdo shqiptari në Maqedoni, për ta ndëshkuar kështu BDI-në për këtë tradhti që ua kanë bërë atyre pas shpine.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu