Debatet në parlament për fitoren e Trump, Meta: C’lidhje kemi me të?!

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë patën impakt të gjerë edhe në opinionin publik shqiptar. Një nga debatet e ditëve të fundit ishte edhe qëndrimi që mbajti kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili dukshëm mbështeti kandidaten Hillary Clinton, ndonëse para mediave, ai e përshëndeti edhe fitoren e kundërshtares demokrates, Donald Trump. Por, kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka një tjetër qëndrim lidhur me këto përplasje mes PS-PD. I pyetur nga mediat, ai thotë se vendi ynë është bërë pjesë e një debati të panevojshëm. Po ashtu, ai foli edhe për tensionet e fundit me Greqinë, si dhe vendimin e LSI-së për vijimin e koalicionit me socialistet.

Si e vlerësoni propozimin e z. Blushi për të angazhuar Parlamentin për ta distancuar zyrtarisht Shqipërinë nga deklaratat z. Rama në lidhje me z. Donald Trump. Si e vlerësoni këtë propozim?

Unë besoj që të gjithë duhet të shohim përpara. Besoj se ky është edhe mesazhi pas zgjedhjeve të në SHBA, që është dhënë edhe atje. Aq më tepër edhe këtu në vendin tonë ku besoj që duhet të jemi të gjithë më të përmbajtur për të ruajtur besueshmërinë e politikës së jashtme të Shqipërisë, që ka qenë një nga pikat tona më të forta përsa i takon potencialit të Shqipërisë për të qenë një faktor i rëndësishëm, moderator dhe stabilizues në Ballkan. Në këtë drejtim absolutisht të forcojmë edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA duke respektuar zgjedhjet që bëhen atje sikurse të gjithë besoj kanë rënë dakord.

Z. Meta, jeni në një lidhje “martesore” politike, por duket se nuk mungojnë ata që shpresojnë në “divorcin” tuaj. A ka një vendim LSI-ja, me kë nga partitë politike do të bashkohet, nëse mund të marrim shprehjen e z. Rama, që shpreson se ju të mos “rimartoheni” djathtas?

Unë besoj se LSI-ja do të bëj gjithmonë zgjedhjet që u intereson qytetarëve shqiptar, stabilitetit të vendit dhe përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Si do ta bëni ketë zgjedhje z. Meta, sepse ju keni thënë se do të vendoset në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së?

Unë besoj se zgjedhja është bërë me kohë, që kur është krijuar Lëvizja Socialiste për Integrim ndaj dhe e ka emrin e tillë.

A mendoni se vendit i duhet një pol i tretë politike dhe ju drejtoni këtë pol?

Vendit i duhet më shumë dialog politik, më shumë konsensus për çështjet më të rëndësishme të vendit, përfshirë edhe politikën e jashtme, e cila për fatkeq javët e fundit, jo thjeshtë ditë e fundit pas zgjedhjeve në Amerikë, por në vazhdimësi, është bërë një temë e debatit të panevojshëm. Pasi besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në këtë drejtim ka patur një konsensus solid, dhe absolutisht duhet të

përqendrohemi te 5 prioritetet, te zbatimi i reformës në drejtësi në mënyrë që të hapen sa më shpejt negociatat me BE dhe të rrisim ndërkohë kapacitetet tona për të negociuar në mënyrë të suksesshme dhe afatgjata.

Pikërisht për këtë debat që ju folët, për debatin që ka lindur mes Shqipërisë dhe Greqisë, a mendon se mund të penalizohemi në dhjetor për hapjen e negociatave të anëtarësimit?

Duhet të shohim përpara, duhet të vazhdojmë të jemi një shembull i bashkëpunimit me fqinjët dhe i rolit stabilizues në Ballkanin Perëndimor. Kjo ka qenë fuqia e Shqipërisë dhe kjo është fuqia kryesore e Shqipërisë, si një faktor stabilitetit në këtë rajon./tesheshi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu