Rilindje me Besë: Edhe ky 28 Nëntor me ligj nënçmues në fuqi për flamurin

“Shqiptarët e Maqedonisë po e presin edhe këtë 28 Nëntor me një ligj nënçmues në fuqi, që parasheh përdorimin e flamurit shqiptar me dimensione trefish më të vogla nga ai maqedonas”, kanë reaguar nga koalicioni “Rilindje me BESË”.

“Është ky ligj, që nënçmon luftën e Skënderbeut, kontributin e Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës dhe që neve, shqiptarëve të Maqedonisë, na pengon ta ndjejmë frymën e vërtetë të Festës së Flamurit.

Arsyetimet se ligji aktual, me të cilin flamurit kombëtar shqiptar i caktohen dimensionet tri herë më të vogla se flamuri kombëtar maqedonas, se kjo është bërë në bazë të flamurit të shtetit shqiptar janë absolutisht të papranueshme. Për neve ai është vetëm flamur kombëtar”, ka thënë zëdhënësi shtabit zgjedhor Orhan Murtezani.

AI më tej ka thënë se sipas nenit 8 të ligjit për përdorimin e flamujve i vitit 1973, pra nga ish Jugosllavia, në mënyrë taksative thuhet që gjatë përdorimit të përnjëhershëm të më shumë flamujve dimensionet e tyre patjetër të jenë të barabarta. Kurse dimensionet e tanishme të flamurit kombëtarë shqiptar janë sa një e treta e flamurit kombëtar maqedonas. Gjithashtu, sipas ligjit aktual përpos dimensioneve të ndryshme, flamuri ynë kombëtar përdoret vetëm në nivel lokal edhe atë aty ku mbi 50% e popullatës janë shqiptarë.

“Ne kërkojmë t’i jepet fund kësaj përbuzje dhe flamuri jonë kombëtar të jetë i barabartë me flamurin kombëtar maqedonas: as më pak e as më shumë. Jemi koshientë se kjo ditë e madhe nuk është ditë e përshtatshme për fushatë dhe porosi politike, mirëpo Flamurin Kuq e Zi e kemi amanet që duhet ta ruajmë. Po ashtu e kemi amanet që, bashkë me urimin për këtë festë, t’jua rikujtojmë se më 11 dhjetor me votën tonë mund t’i japim fund edhe qeverisjes së partisë e cila publikisht është deklaruar që e përkrah miratimin e stemës shtetërore me luanin e VMRO-së. Ky do të ishte edhe një nënçmim për Shqiponjën Dykrenare, e cila fatkeqësisht as sivjet nuk mund të valojë zyrtarisht në Kumanovë, Butel, Shuto Orizarë, Dollnen dhe në vise të tjera të banuara me numër të madh të shqiptarëve”, ka thënë më tej ai.

Sipas tij duke votuar Rilindjen me Besë “ju do të votoni për t’i dhënë fund nënçmimit të flamurit shqiptar. Duke votuar Rilindjen me Besë, ju votoni që çdo 28 Nëntor të ardhshëm ta presim më krenar. Duke votuar për Rilindjen me Besë, ju votoni edhe kundër stemës me luanin e VMRO-së.

Edhe një herë urime festën e Flamurit të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu