Në prill të 2017-ës, një tjetër kompani fluturimesh “low cost” do të operojë në Shqipëri. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës gjatë vizitës zyrtare në Hungari me ministrin e Zhvillimit Kombëtar Miklós Seszták, nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi, që i hap rrugë fillimit të flututimeve të kompanisë “low cost” WIZZAIR.
Duke u ndalur te Memorandumi, Dervishaj theksoi se ardhja e kompanisë “low cost” për fluturimet Budapest-Tiranë dhe anasjelltas, është zhvillim shumë pozitiv për shqiptarët, që mund ta përdorin më tej Budapestin për të shkuar në destiacione të tjera.
Fillimi i fluturimeve të kësaj kompanie të njohur “low cost”, do të hapë edhe më shumë tregun shqiptar dhe do të ndikojë drejtëpërdrejtë në uljen e çmimeve të biletave, tha Dervishaj.
Ministri Dervishaj tha se rivendosja e një linje ajrore mes 2 shteteve, përveç ndikimit pozitiv që do të ketë në sektorin turizmit, zgjeron mundësinë për shkëmbimet tregtare.
Ministri Sokol Dervishaj u ndal dhe te Aeroporti i Kukësit, duke thënë se Ministria e ka prioritet vënien në përdorim. Do të doja të shikonim hapësirën që kompania ajrore WIZZAIR, të vijë dhe të operojë direkt, qoftë dhe me konçesion këtë aeroport, tha Dervishaj.
Z.Seszták tha se ky Memorandum, është historik pasi të dyja palët fitojnë dhe më e rëndësishmja, përfitojnë qytetarët. Ministri Seszták, gjithashtu mirëpriti propozimin për një përfshirje të mundshme të kompanisë WIZZAIR në Aeorportin e Kukësit.
Më tej Ministri Dervishaj dhe Ministri Hungarez Seszták diskutuan për të bashkëpunuar në fusha të tjera, ku kompanitë hungareze janë të mirëpritura.
Ministri Seszták tha Hungaria është shumë e interesuar të investojë në Shqipëri, si në sektorin ajror që tashmë është konkret si angazhim, por edhe në sektorin detar dhe atë hekurudhor.
Dy zyrtarët e lartë ranë dakort që të vijojnë takimet për të konkretizuar bashkëpunimin në sektorët të ndryshëm të ekonomisë./Monitor/